Film

Black Adam, si një rrëfim i gjithë Lindjes së Mesme


Imagjinoni sikur një rrëfim, të jetë i shkruar në mbrojtje të kauzës palestineze.

Tani imagjinoni sikur, autori i këtij rrëfimi, të jetë izraelit!

Praktikisht, ky është Black Adam, i cili sheh në rolin kryesor aktorin e njohur të Hollywood-it, Dwayne Johnson, i njohur ndryshe edhe si “The Rock”.

Duke e parë veten si një instalacion i botës kinematografike të DC Comics, Black Adam funksionin në pjesën më të madhe të tij dhe ashpërsia me të cilën kritikët kinematografikë e kanë trajtuar është deri diku e pakuptueshme, duke qenë se publiku nga ana tjetër, e ka përqafuar filmin.

Gjithsesi, nëse nisemi me premisën se sa bota e fanatikëve të DC respektohet, është një çështje, por se si filmi në tërësi zhvillohet, është tjetër ndodhi.

Me skena aksion në kufijtë e perfektes, me një humor shumë të natyrshëm e të pëlqyeshëm për publikun, Black Adam fiton në zgjedhjen e mënyrës si përqaset.

Ndërsa, në transmetimin e thelbit politik të filmit, i cili kërkon të jetë shumë i madh për veten, edhe më i madh se Johnson vetë, kur ia arrin – ato pak herë – ia del mirë.

Jeta në Kahndaq (qyteti ku zhvillohen ngjarjet), nuk ka si mos të të kujtojë një Jerusalem të sotëm, një Aleppo, një Baghdad, ndoshta deri diku edhe një Kabul.

Mure ndarëse mes popullatave kudo dhe gjejeni çfarë…ndërkombëtarë, të cilët janë të vendosur në qytet për të ruajtur paqen.

Kështu do të mendohej, nëse nuk do të ishte se fare pranë Kahndaq-ut, gjendet një minierë me lëndën e çmuar Eternium, e cila vilet nga një grup kriminal dhe shfrytëzohet prej tyre.

Shihni ndonjë ngjashmëri?!

E thonë zëlartë në fakt dhe ndoshta edhe në mënyrë pak klishe dy persona kryesore, Adrianna dhe djali i saj Amon, të cilët i bashkohen rrugëtimit të Black Adam për të gjetur veten pas 5 mijë vjetësh gjumë.

Dhe ndonjëherë ia arrijnë të transmetojnë atë çfarë duan.

Mirëpo e gjithë gjëja, ngjan ekzaktësisht sikur një perëndimor po kërkon të flasë kundër perëndimorëve, në mbrojtje të banorëve autoktonë të qyteteve në Lindjen e Mesme.

Një gjë jo e keqe, por e pareferueshme, pasi nuk e tregon të plotë tablonë.

Një lloj vetëvendosjeje, e cila në fund edhe gjendet.

Ky është edhe morali në fakt.

Ku janë superheronjtë e Amerikës si Batman, Wonder Woman, Aquaman, Flash, të cilët shpëtojnë metropolit e mëdha amerikane kur i kanoset rreziku i të këqinjve?

Ku është Superman-i, kur një qyteti në Lindjen e Mesme, i duhet ai?

Ah po, është, me një rikthim të pamenduar e të jashtëzakonshëm të Henry Cavill në kostumin blu me pelerinë të kuqe, për pesë sekonda në fund të filmit…për të luftuar rrezikun Black Adam i cili hm, shpëtoi Kahndaq-un!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore