Përballje

BKT Superliga/ Prishtina dhe Gjilani luajnë baras


Kanë përfunduar edhe tri ndeshjet tjera të xhiros së 22-të në Superligën e Kosovës.

E gjithë vëmdnja ishte në Therandë, aty ku Prishtina në cilësinë e vendasit luajti baras me rezultat 2:2 ndaj Gjilanit.

Në fakt ndeshja u zhvillua atje, pasi që stadiumi Fadil Vokrri i Prishtinës është ende duke u rinovuar.

Ashtu edhe siç pritej, kjo ndeshje dhuroi spektakël nga fillimi e deri në fund.

Të parët që kaluan në epërsi, ishin Gjilani, ku fillimisht u anulua një gol i tyre nga sistemi VAR, pastaj nga pika e bardhë e penalltisë shënoi Gerhard Progni.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi minimale të Gjilanit, teksa në të dytën ata dyfishuan epërsinë me golin e realizuar nga Arber Prekazi.

Kur skuadra e ismet Munishit, ishte duke shkuar drejt një fitoreje të rëndësishme, në skenë doli Otto John, i cili ngushtoi epërsinë në minutën e 79-të.

Dhe krejt në fund, Endrit Krasniqi ia mohoi tre pikët Gjilanit, duke shënuar një gol shumë të bukur nga distanca, pas një goditje dënimi.

Me këtë barazim, Gjilani mbetet në pozitën e dytë në tabelë me 43 pikë, dy më pak se Ballkani dhe dy më shumë se Drita e vendit të tretë.

Në ndeshjen tjetër, Dukagjini shënoi një fitore të rëndësishme në udhëtim te Feronikeli me rezultat 0:3.

Pjesa e parë e këtij takimi nuk dhuroi gola, teksa në të dytën skuadra e Armend Dallkut realizoi tre herë.

Jean Carioca zhbllokoi shifrat në minutën e 51-të, Ardin Dallku dyfishoi në të 65-tën, derisa krejt në fund Ahmed Jonuzi shënoi për rezultatin përfundimtar 0:3.

Me fitoren e sotme, Dukagjini mbetet në vendin e nëntë, por tani me 21 pikë, derisa Feronikeli është e fundit me 11 sosh.

Në xhiron e sotme, edhe Ulpiana mori një fitore të madhe, derisa mposhti në shtëpi Drenicën me rezlutat 3:1.

Ulpiana zhbllokoi shifrat në minutën e 28-të, kur braziliani Iran Goncalves realizoi një gol shumë të bukur nga jashtë zone.

Vendasit e nisën mirë edhe pjesën e dytë, kur në minutën e 55-të, ishte mbrojtësi Silvester Shkalla që realizoi për ta dyfishuar epërsinë e Ulpianës në 2:0.

E tre minuta para fundit të ndeshjes, Ulpiana realizoi edhe golin e tretë me talentin Trimror Selimi.

Ndërsa, krejt çfarë bënë mysafirët ishte goli i nderit i shënuar nga Kreshnik Uka në minutën e 92-të për 3-1.

Me këtë fitore Ulpiana vazhdon të mbetet në vendin e tetë në tabelë, por që tani ka 22 pikë, derisa Drenica zë vendin e pestë me 28 sosh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore