Lajme

Bjellorusi, kryetarja e opozitës kërkon bisedime me Lukashenkos


Liderja e opozitës në Bjellorusi, Sviatlana Tsikhanouskaya, ka deklaruar se Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) dhe Kombet e Bashkuara (OKB) janë të gatshme të ndërmjetësojnë negociatat midis opozitës dhe qeverisë bjelloruse.

“OSBE dhe OKB janë të gatshme të organizojnë një platformë dhe të veprojnë si ndërmjetës, si dhe të detyrojnë regjimin të negociojë”.

Sviatlana Tsikhanouskaya nisi një votim në internet për mbështetjen e nismës së saj për për bisedime me qeverinë e Bjellorusisë.

“Secili prej jush e di që vendi ynë është në krizë. Ne mund ta zgjidhim atë në mënyrë paqësore me anë të negociatave të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht”.

Kush është Sviatlana Tsikhanouskaya?

Tsikhanouskaya, ishte kandidate presidenciale në zgjedhjet e diskutueshme të Bjellorusisë në gusht të 2020-ës. Rezultatet pas zgjedhore sollën protesta masive në Bjellorusi.

Ajo u shfaq si një sfidë e frikshme për presidentin Alexander Lukashenko.

Menjëherë pas zgjedhjeve, Tsikhanouskaya shkoi në Lituaninë fqinje dhe që, prej asaj kohe, është në mërgim.

Shteti i Bjellorusisë i ka kërkuar Lituanisë ekstradimin e udhëheqëses së opozitës dhe ish-kandidates presidenciale, Sviatlana Tsikhanouskaya.

Lajmi u bë i ditur nga Prokurori i Përgjithshëm i vendit.

Autoritetet bjelloruse i kanë dërguar një kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Lituanisë, për të ekstraduar Sviatlana Tsikhanouskaya, për ndjekje penale për krime kundër rendit të qeverisë, sigurisë publike dhe shtetit.

Cila është baza për negociatat në Bjellorusi?

Lirimi i të burgosurve politikë dhe fundi i shtypjes së opozitës ishin parakushte për negociatat.

Deklarata shtoi se protestat mund të detyrojnë qeverinë të pranojë të zhvillojë bisedime.

Nga mërgimi i saj në Lituani, Tsikhanouskaya, ka mbështetur prej kohësh demonstratat në Bjellorusi kundër Lukashenko-s.

Si erdhën protestat?

Protestat shpërthyen pasi u njoftuan rezultatet e zgjedhjeve presidenciale. Autoritetet Bjelloruse vazhdojnë të godasin protestuesit paqësorë.

Më herët, kancelarja gjermane Angela Merkel, dënoi sjelljen e qeverisë bjelloruse kundrejt protestave që po zhvillohen në vend.

Në nëntor, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj presidentit Alexander Lukashenko dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë.

Protestuesit në Bjellorusi kanë marshuar vazhdimisht kundër Lukashenko-s, që kur ai pretendoi një fitore të madhe në gusht dhe opozita e akuzoi atë për mashtrim elektoral.

Opozita atje refuzon të njohë fitoren e Lukashenkos, i cili drejton vendin që nga viti 1994.

Organizatat e të drejtave të njeriut kanë ngritur shqetësime kundër abuzimit të të drejtave të njeriut në Bjellorusi, përfshirë torturat ndaj të burgosurve politikë dhe persekutimin e gazetarëve.

Gjykata Bjelloruse dënoi dy gazetarë të kanalit televiziv të lajmeve Belsat me dy vite burg. Autoritetet i arrestuan gazetaret, pasi filmuan në mënyrë të drejtpërdrejtë protestat masive, në vitin 2020, kundër presidentit Alexander Lukashenko.

Katsiaryna Andreyeva, 27 vjeçe dhe Darya Chultsova, 23 vjeçe u arrestuan në apartamentin ku kishin filmuar protestat që po ndodhnin në Bjellorusi, pas vrasjes së një protestuesi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore