Lajme

Bitcoin, pa komision


Asnjë komision s’do të ketë për blerjen e monedhës virtuale Bitcoin, nëpërmjet aplikacionit Lightning App nga kompania Strike. Është ky lajmi i fundit mbi kriptovalutën, e cila është kthyer në fenomen global vitet e fundit.

Derisa më parë tarifat për blerjen e monedhës virtuale shkonin në disa përqind të transaksionit, që zakonisht ishte edhe i komplikuar si proces, tashmë, me një klikim, dhe pa asnjë pagesë shtesë, cilido do të mund të ketë qasje në tregun virtual të Bitcoin-it.

“Jam shumë i entuziazmuar që të deklaroj se nëpërmjet një seksioni të veçantë për Bitcoin. Ju mund të kryeni blerjen e kriptomondhës, me koston më të ulët dhe me lehtësinë më të madhe që krijon tregu”.

Kështu thotë themeluesi i kompanisë Strike, Jack Mallers, në një shkrim për Bitcoin Magazine.

Pavarësisht kryelajmit për kosto zero, mësohet se ajo do të jetë fillestare. Me kalimin e kohës, kosto shtesë mund të vendosen për blerjen e Bitcoin-it nga kjo platformë.

Përtej pagesave, sërish vlerësohet se barra mbi blerësit do të jetë më e ulët. Derisa në platforma të ngjashme kostoja është në rangun e 0.3% të vlerës, Mallers pretendon t’i çojë ato në vetëm 0.1% të kostos.

Gjatë shpjegimeve, Mallers qartësoi se do të ketë një tavan të paracaktuar prej 10 Bitcoin-esh për blerjet. Ndërkohë që, përftuesit fillestarë, do të jenë ata të një versioni Beta.

Transaksionet nga aplikacioni mund të kryhen më pas drejt çdo platforme tjetër.

Ambicia e Mallers, bazuar në atë që ka prezantuar, do të jetë ajo e krijimit të portofoli personal Bitcoin për individët, të cilët mund të kërkojnë të paguhen nëpërmjet kriptovalutës, të shpërblehen, të kursejnë apo edhe veprime të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore