Tregjet

Bitcoin arrin çmimin rekord prej 23,187 dollarësh


Bitcoin, kriptomonedha e parë në botë, u rrit gati me 17 % duke arritur çmimin 23,187 dollarë, sipas CoinMarketCap.

Kjo kriptomonedhë operon përmes shkëmbimeve dixhitale dhe është shoqëruar me luhatje të ndryshme në treg.

Rreth kësaj monedhe dixhitale ka pasur skepticizëm të vazhdueshëm nga bankat qendrore të vendeve të ndryshme për mundësitë reale të aplikimit në ekonomi.

Bitcoin ka pasur luhatje të çmimit nga 10,000 dollarë në shkurt, para se të fillonte kriza e koronavirusit dhe pësoi rënie deri në çmimin 4,000 dollarë brenda disa javëve.

Luhatje të tilla në këto shifra të ulëta kanë vazhduar deri në tetor.

Pas bashkëpunimit me PayPal-in si dhe interesimit së fundmi nga ana e Elon Musk, shpikësit të  Tesla-s për përfshirje më të gjerë në investime në këtë fushë, Bitcoin është rritur me më shumë se 220% që nga fillimi i vitit.

Bitcoin u krijua në 2009 me synimin për të prodhuar 21 milion njësi për 100 vite dhe aktualisht janë prodhuar 18 milion nga ato njësi.

Satoshi Nakamoto, krijuesi i Bitcoin ka deklaruar se siguria e kriptomonedhës është në privatësinë e saj, duke marrë parasysh faktin që përdoruesit kanë pseudonime unike për të kryer transaksionet e tyre.

Kjo karakteristikë e bën Bitcoin-in dhe kriptovalutat e tjera atraktive për tregun e zi dhe kriminelët, duke pasur parasysh që transaksionet nuk janë të lidhura me bankat ose qeveritë përkatëse dhe mund të kryhen në mënyrë anonime.

4,049 kriptovaluta janë aktualisht në treg, me vlerë prej më shumë se 599 miliardë dollarë. Bitcoin është kriptovaluta më e madhe, me një vlerë tregu prej 385.4 miliardë dollarësh.

Në qershor, presidenti Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, të ashtuquajtur ligji për kriptomonedhat, apo monedhat virutale.

Sipas Metës, arsyeja e kthimit të ligjit ishte se Shqipëria nuk ishte gati për një ligj të tillë dhe ky ligj rrezikonte që të përdorej për të pastruar paratë e krimit të organizuar./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore