Lajme

Bislimi protestohet nga Opozita, pasi i quajti ata “gënjeshtarë”


Besnik Bislimi

Zëvendsëkryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, është protestuar në mënyrë simbolike me rrahje të tavolinës nga partitë opozitare, pasi ai iu drejtua opozitës me fjalët “po rreni”.

Ai ka akuzuar partitë në opozitë se po manipulojnë me shifrat për ngritje të çmimit të rrymës.

“U mbytëm duke iu thënë po rreni, ju prapë po rreni”, ishte fjalia që nxiti reagimin e opozitës që me zhurmë ia ndërpreu fjalën Bislimit.

Menjëherë pas kësaj ka kërkuar replikë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i cili ka thënë se është e turpshme sjellja e Bislimit ndaj deputetëve.

“Në mungesë të argumenteve ky del thotë akuza dhe të pavërteta. Nuk është gjendja alarmante këtu sa është te qytetarët. Kur ti paguajmë faturat e këtij muaji do të shohësh çfarë reagimi kanë me pas qytetarët. Në fund të muajit do ta shohim a po rreni ju apo ne”, ka thënë Tahiri.

Pas Tahirit, ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri i cili potencoi se nuk i merr personale ofendimet e zëvendëskryeministrit.

“Zëvendëskryeministri del thotë po rreni deputetë. Këtë e thotë sepse ka dështuar dhe mundohet që përmes ofendimit të mbroj një kauzë. Shumë shpejt do të vërtetohet se kjo që ju po e thuani është mashtrimi më i madh që po i bëni qytetarëve. Jeni tu dashtë me kamuflua, do ta ndalim këtë nëse jo në Kuvend do ta ndalim me të gjitha mjetet demokratike. Ruaje veten, mos ofendo”, tha Tahiri.

Ndërsa anën tjetër pas akuzave dhe kundër-akuzave, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka kërkuar respekt brenda parlamentit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore