Lajme

Bislimi: Pala serbe ishte e interesuar vetëm për Asociacionin


Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se pala serbe ka insistuar të flas vetëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Sekuencimi ka qenë për ne tema qendrore, meqenëse kemi pasur parasysh një propozim të zotëri Miroslav Lajçak. Kemi pasur vërejtjet tona, por pala serbe nuk ka dërguar ndonjë propozim, pala serbe nuk ka pasur gatishmëri, kanë thënë se duan të flasin vetëm për Asociacionin”, tha Bislimi para gazetarëve në Bruksel.

Megjithatë, sipas tij, nuk është dashur të priten rezultate nga ky takim, meqë theksoi se “ka qenë për ta bërë të qartë se ku ndodhet procesi i dialogut dhe se ku duam të shkojmë”.

“Pra, është diskutuar për gjithçka që ka të bëjë me Marrëveshjen e 27 shkurtit”, derisa shtoi se situata në veri nuk ka qenë fare pjesë e diskutimeve në takimin e sotëm.

Bislimi konfirmoi se gjatë vizitës së javës së kaluar, emisari Lajçak ka sjellur në Prishtinë dhe Beograd disa dokumente që kanë të bëjnë me kompetencat e mekanizmit për zbatimin e marrëveshjes, me zbatimin e Deklaratës për të Zhdukurit si dhe për qasjen e tij se si duhet të vazhdohet me zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në marrëveshjen që arritëm në Ohër thuhet qartë se asnjë nen i saj nuk kushtëzon nenin tjetër dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e njërës apo tjetrës pikë të marrëveshjes. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka vullnet në BE për të shmangur një dokument që vetë e ka krijuar dhe publikuar”, shtoi Bislimi.

Petkoviç: Bislimi erdhi pa asnjë dokument në takim, ishte skandaloz – tha se nuk e di çfarë është Asociacioni

Ndërsa si një takim skandaloz e ka cilësuar kryenegociatori serb, Petar Petkoviç.

“Ishte takim skandaloz dhe Bislimi erdhi pa asnjë dokument dhe askënd me vete. Kishim çështje të rëndësishme të diskutonim, por Bislimi nuk dëshironte të jap përgjigje”, u tha gazetarëve serbë Petkoviç, raporton N1.

Sa për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që pritej të ishte tema kryesore e takimit, Petkoviç deklaroi se Bislimi i ka thënë që “nuk e di çfarë është Asociacioni”.

“Po përpiqej ta bënte ta bënte takimin të pakuptimit me ndërhyrje të ndryshme. Kur unë fola për marrëveshjen dhe çështjen e energjisë ai më tha se po flas marrëzi”, pohoi Petkoviç.

“Kur duhet të kishim diskutuar çështje të rëndësishme si zbatimi i mëtejshëm i formimit të Asociacionit dhe çfarë dhe si të veprohet pas miratimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, por edhe çështje të tjera të rëndësishme si liria e Lëvizjes – çështje që kanë të bëjnë me vetë jetën e serbëve në Kosovë, dhunën institucionale të Kurtit që ndodh çdo ditë ndaj serbëve, sulmet e policisë së Kosovës, gjuajtjet ndaj serbëve, Bislimi nuk ka dashur të japë përgjigje konkrete për këtë”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore