Lajme

Bislimi: Normalisht që kemi ndryshuar qëndrimet, veç injorantët nuk i ndryshojnë


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë dhe njëherit kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka pranuar që ka ndryshuar qëndrimet e tij në disa aspekte, pasi i njëjti në atë botë kundërshtonte ashpër marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fushën energjetike, ndërsa sot në ujditë e kontestuar, e hedh nënshkrimin e tij.

Për Bislimin, udhërrëfyesi për të cilën janë dakorduar me palën serbe, të martën e 21 qershorit në Bruksel, nuk përbën shkelje të sovranitet, edhe pse ai ende sot e kësaj dite, marrëveshjet e kaluara i konsideron të dëmshme, të cilat rrjedhimisht kanë derivuar udhërrëfyesin në fjalë.

“Mos implementimi i tyre ka krijuar një situatë në terren e cila ka qenë edhe më e pafavorshme. Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 kanë paraparë që qytetarët në Veri të paguajnë rrymën, mirëpo një gjë e tillë nuk është zbatuar në terren”, ka thënë Bislimi në një intervistë për RTV Dukagjini.

Bislimi në arsyetimin e tij, se pse ka nënshkruar marrëveshjen të cilën për një kohë e ka konsideruar të dëmshme, ka thënë se po të rinegocionte atë, fitues në këtë rast do të ishte pala serbe.

“Në vitin 2022, ke pasë vetëm dy mundësi, të thuash se nuk e njoh marrëveshjen e 2013-të dhe 15-tës, dhe futemi në rinegocim të saj, që do t’i konvenonte palës serbe, sepse ajo ka pranuar të futet në rinegocim marrëveshjen në mënyrë që t’i humbin edhe 10 vite me pikë elemente dhe të shmangemi nga marrëveshja gjithëpërfshirëse, ose opsioni tjetër ta minimizojmë dëmin e marrëveshjeve që i kemi trashëguar, në mënyrë që të hapet rruga për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, ka shtuar ai.

Sipas Bislimit, Elektrosever nuk do të mund të furnizojë me energji elektrike asnjë zonë tjetër të Kosovës, përveç katër komunave të Mitrovicës së Veriut.

“Në Kosovë janë shtatë operatorë të furnizimit, nuk e kemi ndarë Kosovën në shtatë zona, Elektroseveri nuk mund të furnizojë një qytetarë të Prishtinë më rrymë. Në Kosovë ka vetëm një operator të furnizimit që ka licencën e ofruesit universal, nëse KESCO e sheh si treg të mundshëm Veriun e vendit, nuk mund ta ndalojë askush depërtimin e kompanisë atje, Elektroseveri ka licencë të operimit vetëm në katër komunat e Kosovës”.

Bislimi më tej ka paralajmëruar se javën e ardhme do të ketë vendim qeveritar, për çështjen e targave me Serbinë.

“Javën e ardhshme, del plani jonë për targa, në kuadër të planit tonë që del në javën tjetër, trajtohet edhe çështja e tabelave KM”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore