Lajme

Bislimi niset drejt Brukselit, të hënën takohet me Petkoviç-in dhe Lajçak-un


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Brukselit, ku pritet të takohet me kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviç, njoftoi të dielen Zyra për Komunikim me Publikun.

“Ditën e hënë, pritet të zhvillohen takimet e radhës në nivelin e kryenegociatorëve në procesin e dialogut, e cila do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit”, thuhet në njoftimin e lëshura nga Qeveria e Kosovës.

Ky takim vjen pas vizitës së Emisarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili javën e kaluar qëndroi në Prishtinë dhe Beograd, si pjesë e përpjekjeve për të përgatitur terrenin për raundin tjetër të dialogut në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.

Bislimi dhe Petkoviç në takimin e fundit kishin arritur një marrëveshje për Deklaratën për Personat e Pagjetur, e cila ishte miratur në takimin e 2 majit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ndryshe, në tryezën e bisedimeve ishte edhe Draft-Statuti për Asociacionin e Komuanve me Shumicë Serbe, të cilin e ka hartuar Ekipi Menaxhues në përbërje prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb – përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë.

Megjithatë, kryeministri Kurti ka thënë se i njëjti është i papranueshëm ngase bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, prandaj edhe kishte paraqitur një variant si “draft-vizion” për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, gjë që nuk është përfillur.

Këto takime vijnë pasi Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha më 18 mars përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkura të Amerikës, me gjithë mospajtimet lidhur me disa çështje, po insistojnë se krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është çështja kryesore dhe prioriteti më i madh në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore