Bislimi, Lajçak-ut: Jemi pala konstruktive në dialog, Serbia në vazhdimësi po e shkel Marrëveshjen  

SHFLETO

Miroslav Lajçak dhe Besnik Bislimi

 

Dreni Himbeqa
18.06.2024 22:13
Loading Icons...

Në takimin që zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pasur me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, të martën, është diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

Kështu të paktën thuhet në komunikatën për media e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit pas takimit.

Në komunikatë theksohet se, Bislimi gjatë takimit ka ripotencuar se Kosova mbetet palë konstruktive në dialog, e përkushtuar në normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe njohjen reciproke.

“Ai nënvizoi rëndësinë e nënshkrimit si dhe zbatimit në plotni të marrëveshjeve, përmes një plani të sekuencimit të balancuar, të barabartë dhe të drejtë për palët”.

Bislimi, ndër të tjera në takim, ka vlerësuar se Serbia “në vazhdimësi e ka shkelur marrëveshjen në shumicën e neneve të saj”.

“Veçanërisht nenin 4 të saj kur ka votuar e lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e po ashtu dhe përmes letrës së ish-kryeministres Brnabiq në dhjetorin e kaluar”, thuhet në njoftim.

Çfarë tha Lajçak?

I pari i cili u deklarua pas takimit ishte kryediplomati sllovak. Në një prononcim të shkurtër për media, Lajçak, tha se me kryenegociatorin kosovar kanë diskutuar për nevojën e përshpejtimit të implementimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

“Arsyeja e vizitës ishte diskutimi se si të rifokusohemi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbis. Ne e kemi një marrëveshje, duhet ta përshpejtojmë implementimin e saj, kjo është çështja parë që e kemi diskutuar sot me Bislimin”, ka potencuar ai.

Çështja e dytë që u diskutua në takim me Bislimin, sipas Lajçak, ka qenë Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

“Për Kosovën e Serbinë ky disbursim i fondeve është i kushtëzuar me angazhimin konstruktiv në dialog dhe këtu jam unë ai që duhet të bëjë këtë vlerësim për konstruktivitetin. Mu për këtë kemi diskutuar se si të arrijmë te vlerësimi pozitiv”, ka shtuar Lajçak.

I pyetur për raportin e Shefit të Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, për heqjen apo jo të masave ndëshkuese të Unionit ndaj Kosovës, diplomati sllovak, ka njoftuar se kjo çështje do të diskutohet të mërkurën në mes të vendeve anëtare të Unionit.

“Aq sa di çështja e masave do të diskutohet nesër në sektorin politik të vendeve anëtare dhe gjithçka do të varet prej këtyre diskutimeve. Nesër do ta kuptoni se çka ka në raport, mua nuk më lejohet të them asgjë sot”, ka thënë ai.

Paçka, ai ka potencuar se personalisht është në favor të largimit të masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

“E kam bërë të qartë qëndrimin tim për sa i përket masave, që në shtator, kur kam rekomanduar që këto të hiqen. Por siç e thashë, nuk jam pjesë e këtij procesi, ky është vendim i shteteve anëtare. Qëndrimi im personal është që ato duhet të hiqen”.

Lajçak gjatë prononcimit ka bërë të ditur se i është kërkuar të vazhdojë punën si ndërmjetësues i dialogut Kosovë – Serbi, deri në fund të muajit janar.

Po ashtu, Lajçak është pyetur se pse nuk është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Kryeministri Kurti nuk është brenda vendit, për këtë s’kemi pasur takim”, ka njoftuar ai.

Diplomati sllovak pas Kosovës, do të udhëtojë në Serbi.

Të mërkurën Lajçak pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.