Lajme

Bislimi lahet në qumësht e çokollatë nga aktivistët e PSD-së: E gëzofsh Zajednicën


Pamja e ekranit/Besnik Bislimi

Aktivistë të Partisë Socialdemokrate kanë hedhur qumësht e çokollatë (milkshake) mbi zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, të martën pasdite, teksa ky i fundit ishte duke hyrë në një ndërtesë.

Në një video të publikuar nga kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, shihet se si disa aktivistë të kësaj partie e “lajnë” me qumësht zëvendësin e Albin Kurtit, teksa kanë provuar t’ia hedhin edhe një ëmbëlsirë në fytyrë.

“Tortë e milkshake për ‘Zajednicën’. E gëzofshin këta që e pranuan! Kurse ne, qytetarët e Kosovës, do ta kundërshtojmë atë e të kërkojmë masivisht dorëheqjen e tyre. Prandaj, protestojmë të shtunën, me 25 mars, në orën 14:00”, thuhet në përshkrimin e videos së Molliqajt.

PSD-ja ka thirrur protestë më 25 mars kundër arritjes së pajtimit mes kryeministrit Kurti dhe Presidentit të Serbisë për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhnieve midis dy vendeve.

Molliqaj në një konferencë të për media, deklaroi se dialogu në qendër të tij nuk e ka njohjen de facto siç e ka proklamuar kryeministri Kurti, por Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kundër të cilit edhe po thirret protesta.

“Besojmë që protesta është mjeti i vetëm duke pasur parasysh që opozitë nuk ka në Kosovë. Përveç se legjitime dhe e drejtë, protesta është e domosdoshme dhe e vetmja. Nga tash, emri dhe mbiemri i kryeministrit është Albin Zajdenica për PSD-në dhe për qytetarët që janë kundër”, shtoi ai.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 mars, në Ohër, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Kryeministri Kurti dhe Aleksandër Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Të dyja palët do të shkëmbejnë gjithashtu misione të përhershme në qeveritë përkatëse dhe nuk do ta bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së. Serbia, po ashtu, është zotuar se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe t’i formalizoheh statusi Kishës Ortodokse Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore