Lajme

Bislimi e Petkoviç takohen në Bruksel


Ilustrim

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkovic, do të takohen këtë të martë në Bruksel, për një takim të radhës në kuadër të bisedimeve për dialogun Kosovë-Serbi.

Nikoqir i takimit do jetë përfaqësuesi i veçantë i BE-së për dialog, Miroslav Lajҫak ndërkohë çështja e energjetikës do jetë fokus i diskutimeve gjatë së martës së 21 qershorit.

“Diskutimet do të fokusohen në finalizimin e një udhërrëfyesi, i cili do të lehtësonte zbatimin e marrëveshjeve energjetike të 2013 dhe 2015 dhe në çështje të tjera aktuale, duke përfshirë përgatitjet për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë”, ka theksuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, në një komunikim për medie.

Përveç marrëveshjes për energji ky takim do të shërbej edhe si takim përgaditor për takimin e radhës i cili do të mbahet në nivel të lartë, mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç.

“Nesër, me 21 qershor, i dërguari i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak, do të jetë mikpritës i një raundi tjetër të takimeve në kuadër të dialogut në nivelin e kryenegociatorëve” ka thënë Peter Stano.

Për këtë takim janë ftuar kryenegociatorët, zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i delegacionit të Serbisë Petar Petkoviç.

Nga ana tjetër, BE-ja pret që në këtë takim të arrihet një konsensus konkret për zbatimin e marrëveshjes për energji e mundësisht edhe nënshkrimin e një deklarate për çështjen e të pagjeturve.

Sa i përket mundësive për takimin e nivelit të lartë mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, burimet brenda BE-së thonë se kjo do të varet nga gatishmëria e palëve për të arritur rezultate konkrete në dialog.

Që nga kriza e shtatorit në veri të Kosovës, kryenegociatorët, Besnik Bislimi nga Prishtina dhe Petar Petkoviç nga Beogradi janë takuar vetëm një herë, më 21 prill, kur dështoi arritja e marrëveshjes për targat e automjeteve.

Dialogu në nivel të kryenegociatorëve është zhvilluar disa herë para dhe pas këtij momenti por pa takimin e drejtpërdrejtë të tyre. Secili takim i zhvilluar në Bruksel që nga ajo kohë ka përfunduar pa asnjë rezultat.

Sipas zyrtarëve evropian, energjetika dhe çështja e të pagjeturve janë dy tema ku palët I kanë përafruar qëndrimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore