Bislimi e njofton zyrtarin e BE-së për sulmin terrorist: Shpërfaqi objektivat e Serbisë për destabilizim të rajonit

Besnik Bislimi dhe Marko Makovec

Dini Fetahu
13.10.2023 17:31
Loading Icons...

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Bensik Bislimi ka pritur në takim zëvendës drejtorin për Evropë i Shërbimit Evropian të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Marko Makovec, me të cilën kanë biseduar edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit.

Siç njofton zyra e kryeministrit, Makovec ka shprehur ngushëllimet e tij për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, tanimë Heroit, Afrim Bunjaku, teksa ka vlerësuar lartësisht profesionalizmin, maturinë e menaxhimin e situatës nga Policia e Kosovës.

“U diskutua më hollësisht rreth këtij agresioni terrorist, paramilitar e kriminal, ku zëvendëskryeministri Bislimi e informoi Makovec rreth detajeve të këtij operacioni që shpërfaqin objektivat e Serbisë me synim në destabilizimin e rajonit”, thuhet aty.

Foto: ZKM

Gjithashtu në takim u bisedua dhe mbi pritshmëritë në kuadër të agjendës së integrimeve evropiane.

Bislimi ka theksuar se Kosova e vlerëson “lartësisht iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim”.

“U theksua dhe se procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci dhe të ofrojë instrumentet e barabarta për të gjitha shtetet, me qëllim avancimin e agjendës evropiane e përmbushjen e reformave”, thuhet aty.

Çka ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Të fundit

Aktuale