Lajme

Bisedimet me Rusinë varen nga “integriteti territorial”, thotë zyrtari i lartë ukrainas


Për Kievin, parakushti kryesor për të hyrë në negociata me Rusinë mbi përfundimin e luftës është kthimi i të gjithë tokës së kapur ukrainase.

Kështu ka thënë një zyrtar i lartë i sigurisë, Oleksiy Danilov, sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës.

Sipas tij, palës ukrainase i duhej gjithashtu “garancia” e mbrojtjes ajrore moderne, avionëve, tankeve dhe raketave me rreze të gjatë veprimi.

Vazhdimisht, Kievi ka bërë thirrje për armë shtesë nga mbështetësit perëndimorë pas pushtimit të Rusisë në shkurt.

“Kushti kryesor i Presidentit të Ukrainës është rivendosja e integritetit territorial të Ukrainës”, ka theksuar Danilov.

“Raketat ruse duhet të shkatërrohen përpara nisjes në ajër, në tokë dhe në det”, ka shtuar ai.

Sakaq, vërejtjet e tij kanë ardhur pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë se ishte i hapur për negociata “të vërteta” me Rusinë që do të rivendosnin kufijtë e Ukrainës.

Ai po ashtu ka bërë thirrje për kompensim pas sulmeve shkatërruese ruse dhe ka kërkuar ndëshkim për ata që janë përgjegjës për krimet e supozuara të luftës.

Bisedimet për një fund të negociuar të konfliktit janë shtuar ditët e fundit, pasi u raportua se SHBA-të kanë inkurajuar privatisht zyrtarët ukrainas të sinjalizojnë një hapje për të biseduar me fqinjin e tyre.

Zyrtarët amerikanë thuhet se duan që Ukraina të marrë nivelin e lartë moral dhe të duket më e interesuar për negociatat, mes shqetësimeve që Kievi mund të humbasë së shpejti mbështetjen ndërkombëtare nëse mbetet me vendosmëri kundër diskutimeve.

Pasi Rusia njoftoi aneksimin e katër rajoneve pjesërisht të pushtuara të Ukrainës në fund të shtatorit, Zelenskyy tha se Kievi nuk do të zhvillojë bisedime me Moskën për sa kohë që Presidenti Vladimir Putin të mbetet në pushtet.

Edhe të tjerët e kanë përsëritur këtë qëndrim, duke thënë se Kievi do të ishte i gatshëm të negocionte me një pasardhës të Putin-it.

Kurse zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka thënë se Moska është e hapur për bisedime, por Kievi po i refuzon ato.

Sipas zyrtarëve rusë, ata nuk do të negociojnë për territorin që ata pretendojnë se e kanë aneksuar nga Ukraina.

Përveç Koresë së Veriut aleate të Rusisë, asnjë vend nuk i njeh aneksimet e fundit. Shumica e botës refuzon të njohë Krimenë, të aneksuar në vitin 2014, si tokë ruse.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë vazhdon me idenë se mbështetja e SHBA-ve për Ukrainën do të jetë “e palëkundur” pavarësisht nga rezultati i votimeve për zgjedhjet afatmesme.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore