Muzikë

Billie Eilish i referohet gjyqit Johnny Depp kundër Amber Heard në këngën e saj të re


Billie Eilish

Billie Eilish i është referuar gjyqit të Johnny Depp kundër Amber Heard në një këngë të papublikuar që ajo performoi për fansat në turneun e saj në Mbretërinë e Bashkuar.

Ylli 20-vjeçar i popit aktualisht ndodhet në Britaninë e Madhe në turneun e saj botëror për albumin e saj të dytë “Happier Than Ever” .

Duke performuar në “AO Arena” të Mançesterit të martën e 7 qershorit, Eilish debutoi një këngë të re të titulluar “TV”.

Billie Eilish

“Ne nuk kemi luajtur një këngë të re live para se të publikohet që nga viti 2017 ose 2018”, tha Eilish. “Kjo është ajo që sapo kemi shkruar dhe thjesht kemi dashur ta luajmë për ju”

Së bashku me referencën për ndarjen e raportuar të fundit të Eilish me aktorin Matthew Tyler Vorce, sipas ET Canada, kënga përmend gjithashtu gjyqin e fundit të Depp dhe Heard, i cili përfundoi javën e kaluar.

“Interneti është i egër duke parë yjet e filmit në gjyq”, janë disa nga vargjet e këngës.

Amber Heard dhe Johnny Depp

Juria shpalli Depp dhe Heard përgjegjës për shpifje kundër njëri-tjetrit pas më pak se tre ditësh diskutime gjatë gjyqit të tyre gjashtë-javor.

Depp u shpërblye me 15 milionë dollarë si dëmshpërblim pasi ata përcaktuan se Heard kishte shpifur për të në një artikull të “Washington Post” të vitit 2018 që ajo shkroi që përshkruante përvojën e saj me dhunën në familje.

Juria gjithashtu i dha Heard 2 milionë dollarë dëmshpërblim në kundërpadinë e saj për shkak të komenteve që avokati i Depp bëri për Heard, duke i quajtur akuzat e saj kundër Depp një “mashtrim”.

Eilish, turneu i së cilës vazhdon në Mbretërinë e Bashkuar deri më 16 qershor, përmendi gjithashtu ligjin “Roe v. Wade”, duke iu referuar një draft opinioni të rrjedhur që sugjeronte se Gjykata e Lartë mund të anulonte vendimin historik, duke pasur parasysh të drejtat e grave për abortin. Opinioni ka ngjallur polemika në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore