Lajme

Bill Cosby shpallet fajtor për abuzim seksual me një të mitur në vitin 1975


Pas një gjyqi civil, gjyqtarët kanë vendosur se Bill Cosby ka abuzuar seksualisht me një vajzë 16-vjeçare në rezidencën e Playboy në vitin 1975.

Në qarkun e Los Angeles-it, ata kanë vendosur në favor të Judy Huth, e cila tani është 64 vjeçe, duke i dhënë asaj 500 mijë dollarë.

Nga ana tjetër, gjyqtarët kanë përcaktuar humbjen e gjyqit për komedianin dhe yllin e dikurshëm të dashur të The Cosby Show.

Mësohet se ata kanë zbuluar se qëllimisht, Cosby ka krijuar kontakte të dëmshme seksuale me Huth, për të cilin besonte në mënyrë të arsyeshme se ishte nën 18 vjeç.

Dhe se sjellja e tij ishte nxitur nga interesi seksual i panatyrshëm ose jonormal ndaj një të miture.

Sakaq, ky vendim i fundit i jep fund një prej pretendimeve ligjore të mbetura pezull kundër 84-vjeçarit Cosby, të cilin më shumë se 50 gra e kanë akuzuar për abuzime seksuale për gati pesë dekada.

Huth, referuar dosjeve gjyqësore, ka thënë se së bashku me një shoqe kishte takuar Cosby-n në një park dhe se aktori më vonë e mori atë dhe shoqen e saj në rezidencën e Playboy.

Sipas saj, Cosby, i cili asokohe ishte 37 vjeç, e sulmoi atë, duke e detyruar atë të kryente akt seksual pa pëlqimin e saj.

Por aktori i ka mohuar këto pretendime të saj.

Huth, e cila për herë të parë ngriti një padi kundër Cosby në vitin 2014, fillimisht ka thënë se incidenti ndodhi në vitin 1974 kur ajo ishte 15 vjeçe.

Më vonë, ajo ka nxjerrë përfundimin se kishte gabuar në lidhje me vitin dhe se ngjarja ka ndodhur në të vërtetë në vitin 1975.

Mirëpo, Cosby ka pohuar se nuk i kujtohej Huth dhe se ky incident nuk mund të kishte ndodhur sepse ai nuk mund të abuzonte me një të mitur asokohe.

Zëdhënësi i Cosby, Andrew Wyatt, ka treguar se ekipi i aktorit planifikon ta apelojë vendimin.

Ai e ka përshkruar atë si një fitore për aktorin, duke vënë në dukje se ishte shumë më pak se sa kërkoi avokati i Huth, Gloria Allred, prej tetë milionë dollarësh.

Kurse Allred, avokatja e Huth, e ka falënderuar jurinë për vendimin.

Sakaq, gjyqi u zhvillua për gati një vit pasi aktori u lirua nga burgu në Pensilvani, kur dënimi i tij për abuzim seksual të një gruaje tjetër u përmbys.

Gjykata e Lartë e shtetit e rrëzoi dënimin e tij për një teknikë ligjore vitin e kaluar dhe e liroi atë vetëm dy vjet pas dënimit, duke i dhënë goditje akuzuesve.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore