Lajme

Bild për propozimin franko-gjerman: Serbia përballë ultimatumit, të shkojë nga BE-ja ose të humbë gjithçka për Putinin


Media prestigjioze gjermane, Bild, që ka analizuar propozimin evropian, shtron pyetjen se “a është kjo pika e kthesës në konfliktin e Kosovës?”.

Fokusin kryesor e ka përqendruar në ultimatumin e vendosur përballë Serbisë, me presidentin Aleksandër Vuçiç, i cili duhet të bëjë zgjedhjen e vështirë: të shkojë nga Bashkimi Evropian ose të humbë gjithçka për Putinin.

Bild mes tjerash shkruan për kostot e mëdha që duhet të paguajë Serbia nëse refuzon kompromisin, përfshirë izolimin nga BE-ja

Ndërsa tek pjesa e planit franko-gjerman, media prestigjioze nënvizon se ende nuk janë bërë të ditura pikat e tij, teksa u referohet disa drafteve të publikuara në mediat e Prishtinës dhe Beogradit.

“Parashihet që Serbia dhe Kosova të mos e njohin zyrtarisht njëra-tjetrën, por të pranojnë reciprokisht ekzistencën e tyre shtetërore brenda kufijve aktualë. Rrjedhimisht, Serbia do të ndalonte së penguari anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me mbështetjen aktive të Rusisë”, shkruan Bild.

“Nëse me të vërtetë ka një kthesë, larg nga minimi i mëparshëm sistematik i shtetësisë kosovare, atëherë kjo do të jetë një humbje e rëndë për Rusinë dhe përpjekjet e saj destabilizuese në Ballkan”, shprehet eksperti Konrad Clewing.

Propozimi evropian sipas gazetës gjermane është mbështetur edhe nga pesë shtetet anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Megjithatë, saktëson se Vuçiç nuk ka marrë ende asnjë vendim dhe se përgjegjësinë për marrëveshjen përfundimtare me Kosovën ia ka lënë Parlamentit dhe popullit.

Vuçiç tregon çfarë i thanë Lajçak e Escobar: Do kemi tri dënime të forta po s’e pranuam propozimin

Më 23 janar, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në konferencë për media pati treguar tri dënimet që e presin Serbinë nëse nuk e pranon propozimin ndërkombëtar për zgjidhje dhe normalizim me Kosovën.

Vuçiç theksoi se “pesëshja e madhe” e diplomatëve që e vizituan i kanë thënë se “duhet ta pranosh këtë plan, sepse nëse nuk e pranon kornizën e re të negociatave për rrugën drejt Evropës do të përballesh me: Numri një – ndërprerje e procesit integrues në Evropë. Nën dy – me ndalim dhe tërheqjen e investimeve. Nën tre – Me masa gjithëpërfshirëse në kuptimin ekonomik dhe politik që do të shkaktojnë dëme të mëdha në Republikën e Serbisë”.

Siç e shpjegoi Vuçiç para mediave, pesë diplomatët qysh në fjalinë e dytë i kanë thënë se “plani duhet pranuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore