Shqipëria

Bilanci i energjisë: Rritje e prodhimit, eksportit dhe importit


Bilanci i energjisë për tremujorin e tretë të këtij viti në Shqipëri rezulton pozitiv, me rritje të prodhimit vendas dhe rritje të eksporteve.

Megjithatë, kjo lëkundet paksa nga një rritje e importeve.

Energjia elektrike në dispozicion, përgjatë tremujorit të tretë të vitit 2021, ka pësuar një rritje me 12.0 për qind.

Rritje kjo, e nxjerrë nga të dhënat e një raporti të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi bilancin e energjisë.

Në periudhën e marrë në shqyrtim, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike u rrit me 7.2 për qind, duke arritur vlerën 1.371 GWh nga 1.280 GWh energji të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit paraardhës.

Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 76.3 për qind, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 22.7 për qind dhe nga të tjerë prodhues në masën 1.0 për qind të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Në tremujorin e tretë të këtij viti, Importi bruto i energjisë elektrike arriti vlerën 975 GWh nga 666 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rritje me 46.5 për qind.

Kurse eksporti bruto i energjisë elektrike arriti vlerën 323 GWh nga 139 GWh, duke shënuar një rritje me 2.3 herë.

Energji në dispozicion, prodhimi neto vendas, importi dhe eksporti bruto

Hidrocentralet publike prodhuan 1.047 GWh nga 978 GWh të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2020, duke shënuar një rritje të prodhimit me 7.1 për qind.

Ndërsa hidrocentralet private dhe koncensionare prodhuan 311 GWh nga 292 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 6.7 për qind.

Bilanci i energjisë elektrike

Në këtë tremujor, shkëmbimi i energjisë elektrike, diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë ka pësuar një ndryshim me 23.7 për qind.

Kjo duke arritur vlerën negative prej 651 GWh, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar ku kishte një vlerë negative prej 527 GWh.

Shkëmbimi i energjisë elektrike

Referuar të dhënave të INSTAT, humbjet në rrjet arritën vlerën 343 GWh nga 325 GWh, duke shënuar një rritje me 5.7 për qind.

Humbjet në transmetim janë rritur me 16.7 për qind, ndërsa humbjet në shpërndarje janë rritur me 4.3 për qind.

Ndërkohë, humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar një rritje me 7.8 për qind, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 2.2 për qind, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020.

Ndikimin në rritjen e humbjeve në shpërndarje, dallon INSTAT, e ka dhënë rritja e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët.

Konsumi i energjisë elektrike, humbjet në rrjet dhe përdorimi nga konsumatorët

Në tremujorin e tretë të vitit 2021, përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët pësoi një rritje me 13.4 për qind, duke arritur vlerën 1.679 GWh nga 1.481 GWh që ishte në tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, ku ka një rritje të konsumit të energjisë elektrike me 17.8 për qind.

Kjo, përkundrejt rritjes me 7.6 për qind të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë.

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore