Lajme

Bieber: Interpretimet e palëve për Marrëveshjen e Ohrit, problemi më i madh në procesin e dialogut


Florian Bieber

Florian Biber, profesor në Universitetin e Grazit, në një intervistë për “N1”, tha se nuk duhet të ketë vend për moszbatimin e asaj që është rënë dakord në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, duke vënë re se sa shpërfillës ka qenë Vuçiç për Planin Evropian dhe Aneksin Zbatues.

“Marrëveshja është gjithëpërfshirëse, nuk është një byfe ku mund të marrim atë që na pëlqen dhe të refuzojmë atë që nuk na pëlqen. Marrëveshja nuk funksionon kështu, gjithçka duhet të zbatohet, tashmë në deklaratat e presidentit të Serbisë shihet se nuk është e qartë e pranon realisht edhe Aneksin edhe Marrëveshjen”, tha ai.

Sipas tij, përveçse këtij teksti i ka munguar një aspekt i rëndësishëm: nënshkrimet e dy lojtarëve kryesorë, problemi tjetër qëndron në atë se ka lënë hapësirë për interpretime të ndryshme të asaj që është rënë dakord nga të dy liderët.

“Ky është sigurisht problemi më i madh, ne kemi pasur marrëveshje të ndryshme mes Beogradit dhe Prishtinës për 10 vjet ku njëra palë interpreton se po zbaton atë që duhet, pala tjetër e vë në pikëpyetje”, tha ai, ndërsa shtoi se është se është më e lehtë të konfirmohet ajo që është rënë dakord.

“Vazhdimin e problemeve që kemi pasur 10 vjet e shohim në marrëveshjet e mëparshme evropiane ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, që njëra palë nuk e pranon atë që është marrë vesh, askush nuk mund ta interpretojë, sepse në letër nuk ka asgjë zyrtare”, shtoi Bieber.

Nëse vazhdon ky trend sikurse me procesin e mëparshëm, sipas Bieber, procesi i dialogut do të ketë të njëjtat probleme, tensione dhe akuza nga të dyja palët, se marrëveshja nuk do të ndryshojë asgjë rrënjësisht në dinamikë.

“Kjo është e pamundur, nuk është një zgjedhje ku thua ‘5 nga 10 pika do të zbatojmë, të tjerat nuk na pëlqejnë’, sidomos kur bëhet fjalë për një kompromis që është i vështirë për t’u pranuar nga të dyja palët. Nuk ka diçka të tillë”, tha ai.

Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të Bashkimit Evropian – Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell – me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Përfaqësuesit e BE-së ia bashkëngjitën këtë letër Propozimit Evropian të dakorduar më herët, më 27 shkurt, dhe shpallën se tashmë kanë një dokument të dakorduar në tërësi. Ky dokument i dakorduar në tërësi, të hënën iu paraqit Këshillit Evropian dhe ata e mirëpritën.

BE-ja tash këtë e konsideron si dokument, të cilin e bën pjesë ligjore të marrëdhënieve kontraktuale me Serbinë në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim në BE, gjegjësisht të marrëdhënieve të veta kontraktuale me Kosovën në aranzhimin special të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore