Shqipëria

Bie ‘alibia’ e rusëve, në Shqipëri erdhën të ndarë, mund të jenë pjesë e GRU-së


Një ngjarje e rëndë e nodhur në Uzinën Ushtarake të Gramshit rroku vëmendjen e gjithë opinionit publik të shtunën e 20 gushtit, kur dy ushtarakë shqiptarë, në turnin e rojës, u konfliktuan me një shtetas rus, i cili kishte kaluar rrethimin, po fotografonte zonën dhe i sulmoi ushtarët me një agjend neuroparalizues.

Pavarësisht kësaj, rusi u neutralizua në vend, teksa dy persona të tjerë, një shtetase ruse dhe një shtetas ukrainas, u kapën duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

Të tre personat, janë nën akuzë për spiunazh në Shqipëri tashmë dhe detaje të tjera nga ngjarja janë bërë publike.

Sipas dëshmive të para, ata kanë pretenduar se janë bloggerë dhe fotografojnë vende të braktisura.

Mirëpo kjo alibi, është hedhur poshtë nga hetimet, pasi bëhet me dije se ardhja e tyre në Shqipëri, u bë në kohë të ndryshme. Po ashtu, pas identifikimit të shtetasve rusë, u bë edhe identifikimi i shtetasit ukrainas.

Ky i fundit, quhet Fjodor Mihaljov dhe gjendej në Shqipëri prej tre javësh. Ai kishte qëndruar kryesisht në Tiranë gjatë kësaj kohe, në shtëpi me qera ditore.

Nga ana tjetër, shtetësja ruse, e identifikuar si Svetlana Timofoeva, kishte vetëm tre ditë që kishte mbërritur në Shqipëri.

Atyre u janë sekuestruar disa mjete nga makina me të cilën po udhëtonin, ku përfshihen edhe dronë, telefona celularë, aparate fotografike etj..

Shtetasit tjetër rus ndërkaq, i cili u përlesh me efektivët e ushtrisë dhe u identifikua si Mikhail Zotin, iu sekuestrua një aparat fotografik, i cili mendohet se është mjet i sofistikuar spiunazhi, pas kontrollit paraprak të çipave.

Për të tre këta persona, dyshimet janë shumë të forta se bëjnë pjesë në forcat ruse të GRU-së dhe janë spiunë profesionistë, me mision të parapërcaktuar në Shqipëri.

Nuk dihen ende detaje se pse pikërisht Uzina e Gramshit atyre u interesonte veçanërisht, duke qenë se ajo prej kohësh nuk kryen funksion.

Në ngjarje është përfshirë menjëherë drejtoria e Antiterrorit, për të zbardhur plotësisht çdo detaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ndërkohë, Gledis Nano, ka shkuar në Komisariatin e Elbasanit, ku të dyshuarit si spiunë po merren në pyetje.

Nëse vërtetohet se ata realisht janë pjesë e GRU-së, atëherë ngjarja mund të trajtohet në përmasa edhe më të mëdha, mbi të gjitha në kontekstin e fundit kur gjendemi në kushtet e një lufte që po zhvillohet në Ukrainë nga ana e Moskës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore