Lajme

Biden zbulon kushtin për të negociuar me Putin-in


Presidenti amerikan Joe Biden aktualisht nuk ka ndërmend të bisedojë me homologun rus Vladimir Putin, por është i gatshëm ta bëjë këtë nëse shefi i Kremlin-it vërtet tregon interes për t’i dhënë fund luftës që filloi në Ukrainë.

Këtë e tha Biden të enjten në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë pas vizitës shtetërore të presidentit francez Emmanuel Macron.

“Kjo luftë mund të përfundojë në një mënyrë racionale – nëse Putin-i tërheq trupat e tij nga Ukraina. Sigurisht, ai nuk do ta bëjë këtë. Për këtë, ai pagoi një çmim të lartë, kreu një masakër të pabesueshme kundër popullatës civile të Ukrainës – bombardoi kopshtet e fëmijëve. Spitale, strehimore për fëmijë, kjo që po bën është e neveritshme”, theksoi presidenti amerikan.

Biden vuri në dukje se nuk ka plane të flasë me Putin-in në të ardhmen e afërt.

“Dua t’i mas mirë fjalët e mia. Do të isha i lumtur të ulem në tryezë me Putin-in, pasi të isha konsultuar me aleatët tanë të NATO-s, për të diskutuar paqen, nëse dhe vetëm nëse ukrainasit janë të gatshëm ta bëjnë këtë. Por Putini nuk po tregon ndonjë shenjë të vullnetit të vërtetë”, shtoi ai.

Deri në atë moment, kreu amerikan vuri në dukje, “ne duhet të mbështesim popullin ukrainas dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme”.

“Vetë ideja që Putini mund ta mposht Ukrainën është e paimagjinueshme”, theksoi Biden.

Kujtojmë se të mërkurën Macron mbërriti në Washington për vizitën e dytë shtetërore në SHBA gjatë presidencës së tij.

Në një deklaratë të përbashkët, të dy liderët dënuan agresionin rus në Ukrainë dhe i premtuan kësaj të fundit për të ndihmuar aq sa është e nevojshme.

Macron, nga ana tjetër, konfirmoi se ai kishte mbajtur një kanal të hapur me numrin një të Kremlinit, edhe pse “vetëm për të diskutuar për sigurinë bërthamore”. Në ditët në vijim Macron dhe Putin do të flasin në telefon.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Franca po marrin një nismë të përbashkët: një konferencë ndërkombëtare për Ukrainën që do të mbahet në Paris më 13 dhjetor.

Megjithatë, duhet të përballen emergjenca të reja. Sekretari i Shtetit Antony Blinken, gjatë drekës, ilustroi Macron-it projektin e krijimit të “një grupi kontakti” për furnizimin me gjeneratorë dhe pajisje të tjera elektrike Kiev-it.

Pardje kreu i Pentagonit Lloyd Austin diskutoi me ministrin e Mbrojtjes Sebastien Lecornu planin për të trajnuar mijëra ushtarë ukrainas.

Mund të jetë një hap vendimtar në konflikt. Aq sa nga Moska, ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, akuzon Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për “pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në konflikt, jo vetëm duke furnizuar Ukrainën me armë, por edhe duke trajnuar ushtarët e saj në territorin amerikan, si dhe në Britani, Gjermania, Italia dhe vende të tjera”.

Më pas Lavrov çuditërisht sjell në skenë emrin e John Kerry-t, ish-Sekretar i Shtetit dhe sot “i dërguari për klimën” në emër të Biden. “Ne nuk kemi kërkuar bisedime paqeje, por jemi të gatshëm të dëgjojmë. Kerry mund të na ndihmojë të zgjidhim problemet së bashku. Unë kam folur me të më gjatë dhe më shpesh se çdo partner yni. Ai është njeri i dialogut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore