Auto

Biden, urdhër ekzekutiv për çipat


Joe Biden, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pritet të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që synon të adresojë problemin e mungesës globale të çipave gjysmëpëeçues.

Agjensia e lajmeve, Reuters, shkruan se zyrtarët e administratës kanë shpjeguar se nënshkrimi i urdhrit vjen pas shqetësimit të ngritur nga prodhuesit amerikanë të automjeteve të cilët janë detyruar të ndërpresin prodhimin duke alarmuar Shtëpinë e Bardhë dhe anëtarët e Kongresit.

Sipas zyrtarëve, pritet që urdhri ekzekutiv i Biden-it do të nisë një rishikim të menjëhershëm 100 ditor të zinxhirëve të furnizimit për katër produkte kritike. Përpos çipave gjysmëpërçues, në grup përfshihen bateritë me kapacitet të lartë për automjetet elektrike, mineralet e rralla të tokës dhe farmaceutika.

Reuters shton se për të forcuar bazën industriale të mbrojtjes, urdhri do të drejtojë gjashtë rishikime sektoriale të modeluara në bazë të procesit të ndjekur nga Departamenti i Mbrojtjes. Fokusi do të jetë te mbrojtja, shëndeti publik, teknoligjia e komunikimit, transportit, energjisë dhe prodhimit të ushqimit.

“Shtetet e Bashkuara janë rrethuar nga mungesat e furnizimit që nga fillimi i pandemisë, e cila shtrydhi disponueshmërinë e maskave, dorezave dhe pajisjeve të tjera mbrojtëse duke dëmtuar punëtorët e vijës së frontit”, tregon Reuters.

Nga ana tjetër, një nga zyrtarët e administratës është shprehur se “ne jemi duke planifikuar të ndërmarrim veprime për të mbyllur boshllëqet teksa i identifikojmë ato”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore