Bota

Biden: Shkarkimi i Trump-it duhet të ndodhë


“Shkarkimi i ish-presidentit Donald Trump duhet të ndodhë”. Kjo ka qenë deklarata e shkurtër e presidentit amerikan, Joe Biden, për agjencinë e lajmeve CNN.

Biden-i pranoi faktin se dërgimi i çështjes së Trump-it në Senat, mund të ndikojë në agjendën e tij politike dhe mbi të gjitha në emërimet e kabinetit të tij. Pavarësisht kësaj, ai vlerësoi si më të rëndësishëm procesin ndaj ish-presidentit në këtë çast. “Mund të ketë efekt më të keq nëse shkarkimi nuk ndodh”, shtoi Biden-i.

Përsa i përket mundësisë reale për shkarkimin e Trump-it, Biden-i theksoi se “nuk e beson idenë se 17 senatorë republikanë do të votojnë pro”. “Senati ka ndryshuar që kur kam qenë pjesë e tij, por jo aq shumë sa për të qenë unanim në këto vendime”, cilësoi Biden-i.

“Nëse Trump-i do të kishte edhe gjashtë muaj të tjerë presidence përpara, mundësitë për ta rrëzuar do të kishin qenë më të mëdha”.

Këto komente nga ana e presidentit amerikan, vijnë pak pas vendimit të Kongresit për të marrë hapat konkrete të shkarkimit të Trump-it. Kjo është hera e parë që Biden-i shprehet mbi çështjen. Ai nuk e ka theksuar asnjëherë gjatë periudhës post-zgjedhore kërkesën për rrëzimin e tij.

Donald Trump është presidenti i parë në historinë amerikane, për të cilin kanë kaluar dy kërkesa shkarkimi nga Kongresi, brenda një mandati.

Kërkesa e parë, erdhi në 2019-ën. Në atë kohë, Kongresi cilësoi si arsye për shkarkimin abuzimin me pushtetit dhe pengesën e punës së ligjvënësve. Senati, gjithsesi, nuk e miratoi vendimin.

Tashmë në fillimin e vitit 2021, kërkesa vjen me motivimin për kërcënimin e sigurisë publike. “Protestat dhe bastisja e Capitol-it, u nxitën nga presidenti Trump”, thekson raporti i Kongresit.

Pro shkarkimit të Trump-it votuan edhe disa kongresmenë republikanë. Vota u quajt bipartizane. Për shkak të marrjes së detyrës nga Biden-i, kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, bëri kërkesë që debati të fillojë në mes të muajit shkurt.

Kjo do t’i lejonte senatorëve të kishin më shumë kohë për shqyrtimin e raportit të paraqitur nga Kongresi. Duke qenë se ka procedura për çështjen, ligjvënësit amerikanë e prezantuan të hënën e 25 janarit kërkesën zyrtare. Kështu, Senati do të ketë mbi dy javë kohë për ta shqyrtuar.

Sipas CNN-it, drejtimi i seancës ndaj Trump-it nuk do të drejtohet nga kryegjyqtari i SHBA-së, John Roberts. Nëse ish-presidenti do të ishte ende në detyrë, Roberts-i do ta drejtonte seancën. Duke qenë se Trump-i është tashmë jashtë rolit të tij si president, senatori Patrick Leahy, do të jetë drejtues i seancës. Kjo sipas përcaktimeve ligjore në SHBA.

Trump-i mësohet se ka përgatitur ekipin e tij për betejën ligjore. Nga senatorët republikanë ndërkohë, nuk bëhet me dije se si do të qasen ndaj çështjes. Nga ana tjetër, demokratët janë unanimisht pro shkarkimit të Trump-it. tashmë, të nxitur edhe nga deklaratat e presidentit të tyre, Joe Biden./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore