Lajme

Biden rinovon sanksionet për Bjellorusinë


Administrata e presidentit, Joe Biden,  ka rinovuar sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ndaj nëntë ndërmarrjeve shtetërore në Bjellorusi për shkeljen e të drejtave të njeriut nga regjimi i presidentit, Alexander Lukashenko.

Masa nga Departamenti i Thesarit ndaloi shitjet e naftës bruto të SHBA-së në ish-shtetin sovjetik.

Departamenti i Shtetit citoi shtypjen nga qeveria të protestave politike pas rizgjedhjes së Lukashenkos në gusht të 2020-ës.

“Veprimi erdhi si një pasojë e shpërfilljes flagrante të autoriteteve bjelloruse, për të drejtat e njeriut dhe dështimit të Bjellorusisë për të përmbushur detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar”, tha Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, në një deklaratë.

Më shumë se 340 të burgosur politikë janë ndaluar në Bjellorusi, pjesë e një goditje politike kundër disidencës pas rizgjedhjes së Lukashenkos.

“Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje autoriteteve bjelloruse që të lirojnë menjëherë dhe pa kushte të gjithë ata që janë ndaluar apo burgosur padrejtësisht”, tha Blinken.

Ai përmendi në mënyrë specifike disa të burgosur politikë, për të cilët zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar.

Figura politike bjelloruse, Siarhei Tsikhanouski, i cili kishte ndërmend të kandidonte kundër Lukashenkos në vitin 2020, u arrestua para zgjedhjeve të gushtit dhe mbetet i burgosur.

Udhëheqësja e protestës, Maria Kolesnikova u arrestua në shtator pas një marshimi masiv kundër qeverisë së Lukashenkos.

Blinken gjithashtu përmendi burgimin e vazhdueshëm të blogerit, Ihar Losik, i cili ka qenë në një grevë urie.

Sanksionet

Nëntë ndërmarrjet shtetërore të prekura nga ky veprim, financojnë dhe mbështesin regjimin e Lukashenkos, duke lehtësuar shtypjen e tij të dhunshme të popullit bjellorus dhe refuzimin e përsëritur të sundimit të ligjit”, tha deklarata e Blinken.

Sanksionet ishin hequr që nga viti 2015 kur SHBA-ja dhe kombet perëndimore filluan përpjekjet për të zhvilluar marrëdhënie më të mira me Bjellorusinë.

Shtetet e Bashkuara kishin eksportuar 112 milionë dollarë mallra në Bjellorusi në vitin 2020, kryesisht ilaçe dhe makina, dhe importuan 332 milionë dollarë, kryesisht pleh, hekur dhe çelik.

Në shkurt, SHBA-ja vendosi kufizime të udhëtimit për 43 shtetas bjellorusë të identifikuar si pjesëmarrës në goditjen politike të Lukashenkos.

Sanksionet e udhëtimit u shkaktuan nga dënimi i dy gazetarëve të cilët kishin transmetuar drejtpërdrejt një protestë të madhe në Minsk kundër sundimit të Lukashenkos në nëntor.

Bashkimi Evropian gjithashtu ka vendosur sanksione për udhëtime dhe financiare ndaj zyrtarëve dhe kompanive të Bjellorusisë.

Me mbështetjen nga Moska, Lukashenko ka refuzuar të tërhiqet dhe fajësoi protestat në përpjekjet perëndimore për ta rrëzuar atë.

Mandati i gjashtë në detyrë

Bjellorusia është përfshirë nga protestat, që kur rezultatet zyrtare nga votimi i gushtit i dhanë Lukashenkos një mandat të gjashtë në detyrë.

Demonstratat masive të shkaktuara nga votimi ishin shfaqja më e madhe dhe më këmbëngulëse e opozitës që ish-republika Sovjetike ka parë ndonjëherë.

Më shumë se 33 mijë njerëz u arrestuan gjatë protestave dhe shumë prej tyre u rrahën barbarish nga policia.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore