Bota

Biden propozon zgjatjen e traktatit për armët bërthamore


Administrata Biden i ka propozuar Rusisë një zgjatje pesë vjeçare të traktatit New Start, i cili ka për synim kufizimin e testimit të armëve bërthamore nga SHBA-ja dhe Rusia. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Propozimin konkret do ta kryejë këshilltari për sigurinë i presidentit Joe Biden, Jake Sullivan. Ai do të takohet me Ambasadorin e Rusisë në SHBA, Anatoly Antonov, për të diskutuar mbi çështjen.

Kjo lëvizje shpreh qartë qëllimin e Biden-it për të pasur kontroll mbi armët. Nëse arrihet marrëveshja, ajo do të pritet mirë nga vendet anëtare të NATO-s. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Soltenberg, i ka bërë thirrje të dy vendeve të veprojnë për zgjatjen e traktatit.

Zyrtarisht, afati përfundon në 5 shkurt. Ky është afati i fundit aktiv midis dy vendeve përsa i përket testimeve bërthamore. Marrëveshja është firmosur në vitin 2010, nga ish presidenti amerikan, Barack Obama, dhe ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev.

Sipas marrëveshjes, shtetet kufizohen të mos lëshojnë më shumë se 700 raketa dhe bomba bërthamore. Kufizohet në 1550 numri i predhave bërthamore që mund të testohen brenda një viti. 800, është numri i lejuar i lëshimeve nga ajri të predhave apo bombave.

Pavarësisht se numri i testimeve është i lartë, ka një kufizim të madh të tyre falë këtij traktati.

Nuk ka ende informacion se si do e presë Rusia zgjatjen e dorës për zgjatjen e traktatit. Për NATO-n, nëse marrëveshja arrihet, do të jetë një hap i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit në lidhje me armët bërthamore./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore