Bota

Biden prezanton paketën 1.9 trilionë dollarë


Një stimul prej 1.9 trilionë dollarë-sh pritet të injektohet në ekonominë amerikane, me ardhjen në detyrë të presidentit të zgjedhur, Joe Biden. Kjo paketë pritet të shërbejë më së shumti për të ndihmuar amerikanët e prekur nga pandemia.

Biden e propozoi paketën të enjten e 14 janarit. Ai u shpreh se “duhen investime të mëdha për të rivënë në punë ekonominë më të madhe në botë”. Përshpejtimi i shpërndarjes së vaksinave është gjithashtu në plan.

Paketa ‘American Rescue Plan’, do të ndahet në disa zëra. Fondi i parë do të shkojë për vaksinat ndaj Covid-19. Parashikohen rreth 415 miliardë dollarë të investuar në këtë sektor. Plani i Biden-it, është të vaksinojë 100 milionë amerikanë në sa më pak kohë të jetë e mundur. Kjo do të lehtësojë ekonominë në terma afatgjatë.

Mbi një trilion dollarë shkojnë drejtpërdrejt tek qytetarët. Familjet amerikane pritet të përftojnë një çek të ri ndihme. Parashikimi fillestar është se do të ketë vlerën e dy mijë dollarëve për person.

Bizneset e vogla do të jenë gjithashtu përftuese. Rreth 440 miliardë dollarë do të shkojnë si ndihmë e drejtpërdrejtë për to. Në veçanti, do të shihen ato më të goditurat nga pandemia. Komunitetet e margjinalizuara do të përfshihen gjithashtu në këtë skemë.

Si pritet të vihet në lëvizje paketa e propozuar nga Biden-i?

Plani i presidentit të zgjedhur është që paketa të injektohet në ekonomi menjëherë. Media raporton gjithashtu se plani mund të jetë gati. Një agjendë afatshkurtër veprimi, pritet të vihet në lëvizje së shpejti.

Ndihma emergjente ndaj ekonomisë është cilësuar si e domosdoshme nga ekspertët amerikanë. Mbi 385 mijë amerikanë kanë humbur jetën për shkak të Covid-19 në SHBA. Kjo përkthehet në fuqi punëtore të humbur dhe në kontribute të humbura.

Vetë tranzicioni i Biden-it në presidencë ndërkohë, është ende problematik. Kongresi së fundi kaloi rezolutën për kërkesën e shkarkimit të presidentit në largim, Donald Trump. Një mbledhje e Senatit pritet të ndodhë. Kjo, gjithsesi, pas marrjes së detyrës nga Biden-i.

Lufta që ka përfshirë Trump-in dhe ligjvënësit amerikanë, ndër të cilët edhe disa republikanë, është kthyer në temën kryesore politike në SHBA. Vëmendja po shpërqendrohet nga ardhja e Biden-it në presidencë, e cila është vetëm pesë ditë larg.

Tranzicioni i presidencës Biden-Trump, është cilësuar nga specialistët si një ndër më të vështirat në 80 vitet e fundit. Ka ende dyshime se trazira mund të ndodhin gjatë ditëve të fundit të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore