Lajme

Biden paralajmëron Putin-in: Mos mendo të prekësh asnjë centimetër të territorit të NATO-s


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka paralajmëruar homologun e tij rus Vladimir Putin për avancimin e luftës drejt shteteve të NATO-s.

“Mos mendo të prekësh asnjë centimetër të vetëm të territorit të NATO-s”, theksoi presidenti amerikan.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë e dha këtë paralajmërim gjatë një fjalim para disa qindra qytetarëve polakë dhe refugjatëve ukrainas.

Biden gjendej edhe në shoqërinë e udhëheqësit polak Andrzej Duda.

Fillimisht, presidenti amerikan sqaroi se pretendimi i Putin-it për “denazifikimin e Ukrainës është një gënjeshtër e turpshme”.

“Thjesht nuk ka asnjë justifikim apo provokim për zgjedhjen e Rusisë për luftë”, shtoi 79-vjeçari.

Në vijim të fjalës së tij, Biden kujtoi se ekonomia e Rusisë u rendit si ekonomia e 11-të më e madhe në botë përpara këtij pushtimi.

“Së shpejti nuk do të renditet as ndër 20 më të mirat në botë”, deklaroi presidenti amerikan.

Sipas tij, askush nuk duhet të dyshojë se kjo luftë ka qenë tashmë një dështim strategjik për Rusinë.

Në vijim, Biden theksoi se “Putin-i nuk mund të qëndrojë në pushtet”.

“Populli rus nuk është armiku ynë dhe Putin-i nuk mund të mbetet në pushtet”, ravijëzoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti amerikan nënvizoi në përmbyllje se “beteja nuk do të fitohet me ditë dhe muaj, por duhet të përgatitemi për një betejë të gjatë përpara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore