Lajme

Biden, Osmanit: Amerika do ta ndihmojë Kosovën me vaksinat


“Ndërsa rritim furnizimet e vaksinave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne po shqyrtojmë mundësitë për të punuar me partnerë për të ndarë atë që mundemi. Ekipi im do të mbetet në kontakt me ju ndërsa zhvillohen këto përpjekje”, ka thënë Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, në letrën dërguar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndërkohë, në letrën e saj dërguar Biden-it më 19 mars, Osmani i kishte kërkuar ndihmë SHBA-ve që ta ndihmojnë Kosovën në sigurimin e vaksinave anti-COVID.

“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, ju drejtohem me një kërkesë në lidhje me mundësinë që të konsideroni Kosovën si një nga vendet që do të përfitonte nga një ofrim i mundshëm i vaksinave tuaja të tepërta në të ardhmen e afërt”, shkruhej në letrën e presidentes.

Po ashtu, Osmani në atë shkrim kishte theksuar se Kosova i qëndron përkrahë SHBA-ve si në luftën kundër COVID-19 ashtu edhe në çdo sfidë tjetër.

“Ne qëndrojmë të bashkuar me ju në luftën kundër pandemisë, në të njëjtën mënyrë sikur se SHBA-të e kanë mbrojtur Kosovën dhe shpresojmë të punojmë së bashku për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë”.

Ndërsa sa i përket kontingjentit të parë të vaksinave kundër Coronavirus, në Kosovë ky kontingjent ka arritur më 28 mars, nga kompania AstraZeneca që janë siguruar përmes programit “COVAX”, mundësuar nga Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore