Bota

Biden nënshkruan urdhrat e parë ekzekutivë


Janë nënshkruar 17 urdhrat e parë ekzekutivë nga Presidenti i ri SHBA-së, Joe Biden, vetëm pak orë pas betimit dhe marrjes zyrtarisht të detyrës.

Çështjet kryesore të prekura nga këto vendime, janë lufta ndaj Covid-19, rikthimi në marrëveshjet klimatike dhe emigrimi. Pavarësisht thirrjeve të shumta për bashkim në fjalimin e parë si president, Biden-i ka goditur pikërisht vendimet e Trump-it, shumë të kundërshtuara nga demokratët dhe pjesë kryesore e fushatës presidenciale të Biden-it.

Nuk u la pas nga Biden-i, edhe ndihma e drejtpërdrejtë për amerikanët, në përballimin e pandemisë.

Ja si do të ndryshojë politika amerikane në fusha të caktuara

Pandemia

Biden-i ka caktuar Jeffrey Zients si zyrtarin që do të drejtojë luftën ndaj pandemisë. Mendohet të ketë një reagim agresiv ndaj Covid-19. Përpara marrjes së presidencës, Biden-i ka deklaruar se do të vaksinojë 100 milionë amerikanë në 100 ditët e para të presidencës. Është caktuar gjithashtu edhe mbajtja e detyrueshme e maskës në çdo ambient.

Presidenti i ri ka rikthyer lidhjet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Kjo, pasi Trump-i vendosi mos dhënien e fondeve të caktuara ndaj OBSH-së.

Ndryshimet klimatike

Ndër vendimet kryesore është edhe ai për rikthimin e SHBA-së në traktatin klimatik të Paris-it. Në 2019-ën, Trump-i njoftoi daljen e SHBA-së nga traktati. Kjo gjë e nxorri Amerikën nga një koalicion të mbi 200 shteteve.

Kjo marrëveshje do të shtyjë SHBA-në të vendosë më shumë ligje mbi limitimin e industrisë së qymyrit, naftës dhe gazit natyror. Do të synohet një qasje më e hapur ndaj energjisë së ripërtëritshme.

Emigrimi

Urdhri i ri i firmosur nga Biden-i nuk do të lejojë depërtimin e disa emigrantëve që hyjnë në territorin amerikan. Këtu përfshihen kryesisht fëmijët. Nuk dihet nëse prindërit emigrantë do të jenë pjesë e urdhrit. Mendohet se atyre do t’i jepet mundësia të kërkojnë shtetësinë amerikane.

Zhvillim do të ketë edhe përsa i përket censit të popullsisë. Tashmë emigrantët do të përfshihen në cens. Hiqen gjithashtu të gjitha përjashtimet që ka bërë më parë Trump-i. Nuk do të ketë më ndalim të emigrantëve myslimanë ose nga vendet e Afrikës. Do të rikthehet gjithashtu edhe procesi i dhënies së vizave për emigrantët.

Barazia racore dhe LGBT

Biden-i ka tërhequr disa ligje të vendosura më parë nga Trump-i. Mbi të gjitha, rishikimi i rolit të skllavërisë në historinë amerikane. Do të ketë barazi edhe përsa i përket trajnimeve në agjencitë federale apo institucione, gjë që shihej si problematike gjatë administratës Trump.

Rishikim do të ketë edhe për të drejtat e komunitetit LGBT. Për këtë do të merren parasysh propozimet e shoqatave aktiviste dhe shoqërisë civile. Kabineti i Biden-it është një ndër kabinetet më gjithëpërfshirës në historinë e SHBA-së.

Ekonomia

Do të ketë një ndihmë të drejtpërdrejtë për përballimin e pandemisë. Përtej kësaj, do të ndihmohen më shumë edhe shtresat në nevojë apo ato të margjinalizuara. Të përfshirë në skemë do të jenë agrikultorët, veteranët dhe zhvillimi urban.

Një pjesë e ligjvënësve amerikanë, madje, kërkojnë të shtyjnë Biden-in të falë deri në 50 mijë dollarë borxh shkollor të studentëve debitorë ndaj universiteteve.

Përgjegjësia e qeverisë

Biden-i dha një kërcënim direkt ndaj çdo punonjësi të administratës që nuk e zhvillon punën si duhet. “Çdo punonjës që nuk respekton kolegët, administratën, amerikanët, do të pushohet menjëherë”, theksoi Biden.

Qëllimi i tij është të rikthejë besimin e humbur të amerikanëve tek qeveria. Vendime të tjera të Biden-it pritet të dalin në ditët në vijim. Mbi të gjitha, interesant do të jetë konkretizimi i procesit të vaksinimit në SHBA./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore