Lajme

Biden nënshkroi protokollet për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO


Presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi të martën protokollet për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në Aleancën e Atlantikut të Veriut pas ratifikimit të tyre nga Kongresi.

Lajmi u bë i ditur nga Shefi i Shtëpisë së Bardhë përmes një video-mesazhi.

“Së bashku, ne – Shtetet e Bashkuara, Suedia dhe Finlanda – do të vazhdojmë të jemi vigjilentë ndaj kërcënimeve ndaj sigurisë sonë, do të parandalojmë kërcënimet dhe do t’i rezistojmë agresionit nëse ai shfaqet”, u shpreh Biden gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti amerikan u bëri thirrje aleatëve të mbetur të Aleancës që të mos vonojnë ratifikimin e protokolleve për pranimin e Suedisë dhe Finlandës.

Kështu, Shtetet e Bashkuara u bënë vendi i 23-të i NATO-s që ratifikoi protokollin për pranimin e dy anëtarëve të rinj.

Spanja, Greqia, Portugalia, Sllovakia, Republika Çeke, Hungaria dhe Turqia mbeten shtetet të cilat nuk kanë ratifikuar ende protokollin.

Finlanda dhe Suedia bashkërisht paraqitën aplikime historike për t’u anëtarësuar në NATO më 18 maj.

Kjo, pas tre muajsh luftë të Rusisë kundër Ukrainës. Për Finlandën, ky hap përfundoi shumë dekada, dhe për Suedinë – rreth 200 vjet neutralitet.

Pranimi i të dy vendeve në Aleancë në samitin e qershorit në Madrid ishte në pikëpyetje deri në fund për shkak të vetos së Turqisë, e cila përfundimisht e hoqi atë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore