Lajme

Biden: Në fund të majit, vaksina për gjithë të rriturit


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, është shprehur të martën e 2 marsit se SHBA pritet të furnizohet me vaksina të mjaftueshme anti-Covid për të gjithë amerikanët në moshë madhore deri në fund të majit.

Prodhuesi i ilaçeve Merck & Co do të ndihmojë në prodhimin e vaksinës së kompanisë rivale Johnson & Johnson.

Shtëpia e Bardhë po vazhdon përpjekjet për përshpejtimin e prodhimit të vaksinës me një dozë të vetme të kompanisë Johnson & Johnson.

Administrata e presidentit Biden po përpiqet gjithashtu që të përshpejtojë planet e vendit për të arritur “imunitetin e turmës” dhe rikthimin e normalitetit pas pandemisë.

Nga Shtëpia e Bardhë, presidenti tha se, në momentin që mori detyrën, Johnson & Johnson “ishte prapa në prodhimin dhe shpërndarjen” e vaksinës dhe kishte prodhuar vetëm 3.9 milionë doza përpara marrjes së autorizimit për përdorim urgjent të vaksinës së saj të shtunën.

Kompania ka premtuar të prodhojë 100 milionë doza deri në fund të qershorit.

Biden theksoi se ekipi i tij ka punuar shumë për të përshpejtuar përpjekjen, si dhe paralajmëroi njerëzit që qëndronin vigjilentë.

Ndihma nga kompania Merck pritet të ndihmojë kompaninë J&J të përmbushë angazhimet e saj të prodhimit dhe të zgjerojë furnizimin edhe më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore