Lajme

Biden mund të ndryshojë ligjin e armëve


Presidenti amerikan, Joe Biden, mund të marrë disa vendime ekzekutive mbi përdorimin e armëve në SHBA, pas sulmeve masive të njëpasnjëshme që po ndodhin në djepin e demokracisë.

Gjithashtu, një kontrollor i armëve do të emërohet për të drejtuar Byronë e Alkoolit, Duhanit, Armëve dhe Eksplozivëve.

Veprimet përfshijnë direktiva mbi aktet rregullatore të përdorimit të armëve. Mendohet se do të ndalohet po ashtu edhe mbledhje e armëve të pa regjistruara.

Shqetësim është ngritur edhe për armët e kalibrit të ulët, të cilat mund të kthehen në pushkë. Priten rregullime për to me ndryshimet e reja.

Zotërimi i armëve në SHBA është i lejuar nën amendamentin e dytë. Ato cilësohen si të lejueshme për shkak të nevojës së individit për të mbrojtur veten apo pronën në rast rreziku.

Sulmet e fundit në shtete të ndryshme të Amerikës gjithsesi, kanë treguar se keqpërdorimi i tyre është kanosës. Në dy javët e fundit ka pasur dhjetë sulme në masë në SHBA. Dhjetëra persona kanë mbetur të vrarë dhe të tjerë janë plagosur.

Situata në Capitol po ashtu nuk ka qenë e qetë. Që prej protestave të 6 janarit, gjendja ka qenë e rënduar në aspektin e sigurisë.

Vendimi i Biden-it ka rihapur një debat të kahershëm amerikan, nëse armët duhet të lejohen apo jo të zotërohen nga qytetarët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore