Lajme

Biden fajëson “krizën klimatike” për viktimat e shkaktuara nga Stuhia Ida


Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të enjten e 2 shtatorit se Stuhia “Ida” dhe zjarret shërbyen si shenjë se “kriza klimatike” ka mbërritur.

“Këto stuhi ekstreme dhe kriza klimatike janë këtu”, tha Biden në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë. “Ne duhet të jemi më të përgatitur. Duhet të veprojmë”.

Të paktën 46 persona kanë vdekur në verilindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) pas reshjeve rekord të shiut dhe përmbytjeve brutale që goditën New York-un dhe New Jersey-in.

Vetëm në New Jersey, të paktën 23 persona vdiqën, sipas njoftimit të guvernatorit Phil Murphy.

Ndërsa në New York City, stuhia ka shkaktuar të paktën 13 viktima, sipas kryebashkiakut Bill de Blasio. Shumë u bllokuan në bodrumet e tyre, ndërsa niveli i ujit rritej.

Stuhia, që goditi Bregun Lindor të SHBA-ve, vjen si mbetje e Uraganit Ida, që goditi Luizianën në fillim të javës.

Të paktën 13 persona u vranë në Luiziana, Misisipi dhe Alabama.

Shkencëtarët thonë se ndryshimi i klimës rrit frekuencën e ngjarjeve ekstreme të motit – siç janë stuhitë e mëdha tropikale, thatësira dhe valët e nxehtësisë që krijojnë kushte për zjarre të mëdha.

Zyrtarët amerikanë të motit raportuan kohët e fundit se “korriku 2021 ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në 142 vitet e mbajtjes së rekordeve”.

Ida ishte stuhia e pestë më e fuqishme që goditi SHBA të dielën, e cila u shoqërua me erëra maksimale prej 240 km/orë, duke shkaktuar dhjetëra miliarda dollarë dëme.

Më shumë se 1 milion shtëpi dhe biznese në Luiziana dhe Misisipi mbetën pa energji elektrike.

Rajoni ishte paralajmëruar për përmbytje potencialisht vdekjeprurëse, por nuk ishte përgatitur për kushte të tilla.

Kryebashkiaku i qytetit të Nju York-ut, Bill de Blasio, tha se forca e stuhisë i befasoi ata.

Marrë nga Euronews, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore