Lajme

Biden, Netanyahu-t: Besoj se konflikti do të përfundojë së shpejti


Të mërkurën e 12 majit, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, tha se shpresonte që cikli i dhunshëm midis izraelitëve dhe palestinezëve do të mbarojë së shpejti. Ky njoftim për mediat erdhi pas një bisede telefonike që ai shkëmbeu me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

“Pritshmëria dhe shpresa ime është që kjo do të mbyllet sa më shpejt, por Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten, ndërsa mijëra raketa bien në territorin e tij”, u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Përveç Izraelit, Biden tha se ata janë në kontakt të ngushtë edhe me vendet e Lindjes së Mesme, si: Egjipti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Të gjitha këto komunikime u bënë në përpjekje për të zgjidhur konfliktin. Dhuna shpërtheu të premten e kaluar në Xhaminë Al-Aqsa të Jeruzalemit.

Zemërimi në rritje i palestinezëve erdhi nga dëbimi prej shtëpive të tyre. Përleshjet u përshkallëzuan të hënën e 10 majit.

Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë, në lidhje me bisedimet Biden-Netanyahu, tha se Biden dënoi sulmet me raketa nga Hamas dhe grupe të tjera kundër objektivave në Izrael.

Ai “përcolli mbështetjen e tij të palëkundur për sigurinë e Izraelit dhe për të drejtën legjitime të Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij, duke mbrojtur civilët”.

“Ai gjithashtu përcolli inkurajimin e Shteteve të Bashkuara për një rrugë drejt rivendosjes së një qetësie të qëndrueshme. Ai ndau bindjen e tij se Jeruzalemi, një qytet me kaq rëndësi për njerëzit me besim nga e gjithë bota, duhet të jetë një vend i paqes”, tha deklarata.

Të dy udhëheqësit ranë dakord të mbeten në kontakt në ditët në vazhdim dhe të mbajnë konsultime të ngushta midis ekipeve të tyre, shkruante deklarata.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, në një telefonatë të mërkurën me presidentin palestinez Mahmoud Abbas, dënoi “sulmet me raketa dhe theksoi nevojën për të mos përshkallëzuar tensionet dhe për t’i dhënë fund dhunës aktuale”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price në një deklaratë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore