Libra

Bibliotekë për të burgosurit shqiptarë në Itali dhe Greqi


Nisma “Dhuro Libra” është nisur drejt Greqisë për shtetasit shqiptarë që vuajnë dënimin në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Greqi. Të pranishëm gjatë nisjes së librave ishin ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Bëhet fjalë për dhjetë mijë libra të dhuruara nga shtëpitë botuese, individë dhe institucione të ndryshme.

Destinacioni tjetër janë institucionet italiane. Librat pritet të shpërndahen nëpër burgje më datë 21 shkurt, e cila përkon dhe me ditën e Ndërkombëtare të Gjuhës amtare.

Ministri Majko e vlerësoi si ditë të veçantë për një arsye shumë të thjeshtë dhe njerëzore.

“U jemi mirënjohës të gjithë donatorëve, në veçanti Shtëpisë Botuese Toena, e cila është donatorja kryesore. Të gjitha këto libra do të shkojnë në duart e njerëzve, të cilët, pa diskutim, janë në një pozitë të vështirë dhe ndodhen në kushtet e mungesës së lirisë. Diaspora nuk përbëhet vetëm nga njerëz të cilëve u ka trokitur suksesi, por edhe nga njerëz që, për arsye të ndryshme, kanë gabuar dhe janë në kushtet e mungesës së lirisë, po ata mbeten pjesë e familjes së madhe të shqiptarëve”, u shpreh ai.

Ai vlerësoi praninë e ministres së Drejtësisë, të cilën e falënderoi për bashkëpunimin.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, u shpreh se nisma “Dhuro libra” për krijimin e bibliotekës së gjuhës shqipe në burgjet e Italisë dhe Greqisë, është një nismë vërtet për t’u përgëzuar.

“Kjo nismë i jep një tjetër dimension dhe fushës e përgjegjësisë së Ministrisë së Drejtësisë, po njëkohësisht dhe detyrimeve tona si qeveri kundrejt shtetasve shqiptarë kudo që ndodhen ata. Po bëjmë maksimumin për t’u kujdesur për shtetasit tanë në të gjitha këndvështrimet”, u shpreh ajo.

Sipas statistikave të publikuara nga mediat greke, në 2018-ën, në Greqi ishin një mijë e 650 të burgosur, ndërsa instituti i të burgosurve të huaj në Itali ka publikuar një shifër prej tre mijë e 423. Numri i të burgosurve në Greqi ka ardhur duke u ulur.

Qeveria greke vitin e kaluar aprovoi një vendim për lirimin e të burgosurve, që kanë më pak se një vit dënim të mbetur. Vendimi është ndërmarrë në kuadër të pakësimit të numrit të të burgosurve në burgjet e Greqisë.

 

Mes përfituesve të kësaj amnistie ishin edhe shumë shqiptarë të dënuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore