Lajme

Bezos dhe Branson nuk janë astronautë


“Ujë i ftohtë” mbi dy miliarderët Jeff Bezos dhe Richard Branson, pas fluturimeve të tyre “hapësinore”.

“Aspirantët për të qenë astronautë, duhet jo vetëm të jenë pjesë e ekuipazhit, por edhe të japin kontributin e tyre në sigurinë e fluturimit”.

Me këtë përkufizim, ëndrra e Bezos-it dhe Branson-it për t’u quajtur astronautë, zhduket!

Ky ndryshim i përkufizimit, është i pari që ndodh nga Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA), që prej vitit 2004.

Të dy miliarderët e kanë përmbushur objektivin e fluturimit të mbi 80 kilometra mbi sipërfaqen e tokës. Mirëpo, parashtrimi i kushtit të kontributit të dhënë në këtë sipërmarrje, i ndëshkon ata.

Sipas njoftimit nga FAA-ja, kjo bëhet më së shumti për të mbrojtur klientët e ardhshëm potenciale, në këto fluturime. Bazuar në një deklaratë nga Drejtori i Përgjithshëm i Blue Origin, Bob Smith, udhëtarët në këto mjete, nuk duhet të bëjnë asgjë.

Pikërisht për këtë fakt, duhet mbrojtur të drejtat e klientit dhe detyrimet që kompania ka ndaj tyre.

Ndaj, jo gjithkush do të mund të marrë “krahët” e famshëm të NASA-s dhe të quhet astronaut.

Bezos dhe Branson i kishin krahët e tyre, por nuk ishin zyrtarë. Ato ishin qëndisur nga kompanitë e tyre, posaçërisht për misionet.

Shpresa gjithsesi, nuk duhet humbur për ta. Një ndryshim në rregullore, mund t’i japë miliarderëve luksin që paratë nuk ia blenë dot – titullin e astronautit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore