Muzikë

Beyonce dhe Harry Styles shkruajnë historinë në Grammy


Beyonce është tashmë artistja me më së shumti çmime Grammy në historinë e muzikës, duke vendosur një rekord absolut me 32 të fituar në karrierën e saj të larmishme.

Në thyerjen e këtij rekordi, ajo tejkaloi dirigjentin e njohur hungarez-britanik, George Solti, i cili prej më shumë se dy dekadash mbante rekordin me 31 Grammy të fituara në karrierë.

“Po përpiqem të mos jem emocionale dhe thjesht të nderoj këtë mbrëmje”, tha artistja afro-amerikane, gjatë marrjes së gramafonit të saj të 32-ë, teksa më herët në mbrëmje kishte rrokur edhe tre të tjerë.

Megjithatë, çmimin e albumit më të mirë të vitit, nuk mundi sërish ta fitojë, pasi ajo i takoi britanikur Harry Styles dhe krijimit të tij “Harry’s House”, i cili ka qenë në majat e klasifikimeve botërore për muaj të tërë, gjatë vitit 2022, pas hedhjes në treg.

“Në netë të tilla si kjo e sotmja, është kaq me rëndësi të kuptohet dhe kujtohet se në industrinë ku ne bëjmë pjesë, nuk ka të tillë gjë si një ‘më i miri në muzikë’”, tha ai modestisht teksa ngrinte trofeun.

Për gjithë artistët britanikë në fakt, nata ishte një sukses, pasi me çmime u nderuan edhe artisti Sam Smith, me këngën më të mirë duo, për Unholy në bashkëpunim me KIm Petras, si edhe grupi Wet Leg, të cilët morën dy çmime, ku njëri për albumin më të mirë alternativ të vitit.

Adele, po ashtu, mori çmimin për performancën më të mirë vokale në një këngë pop, për Easy on Me.

Ndërsa, çmimi i këngës së vitit, i shtangu të gjithë, kur pasi pritej që Taylor Swift ose Beyonce ta merrnin atë, fituese u shpall Bonnie Raitt, me baladën e saj Just Like That.

Artisti nga Puerto Rico, Bad Bunny, i cili hapi mbrëmjen e performancave, u nderua me çmimin e albumit më të mirë Urban të vitit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore