Shqipëria

Betohen shtetasit më të rinj në Tiranë, Veliaj: Kemi 144 kombësi të ndryshme nga e gjithë bota


Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, paraditen e 8 shkurtit ka mirëpritur 18 qytetarë që morën shtetësinë shqiptare – në një vit të veçantë për Shqipërinë pasi këtë viti Tirana mori titullin si “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”.

Këta shtetas u betuan përpara kryebashkiakut për besnikëri ndaj shtetit shqiptar dhe për respektimin e Kushtetutës e të legjislacionit të Republikës së Shqipërisë.

Qytetarët që morën shtetësinë shqiptare janë nga vende si Turqia, Serbia, Rumania, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Libia.

“Pavarësisht moshës, ditëlindja juaj me shtetësinë shqiptare është sot”, ju drejtua Veliaj atyre.

Teksa shprehu mirënjohjen ndaj tyre ai theksoi se në Tiranë, tashmë jetojnë 144 kombësi të ndryshme nga e gjithë bota.

“Është një gëzim i madh ku një pjesë e këtyre kombësive zgjedhin të jenë përjetësisht tanët, pjesë e këtij komuniteti, shtetas të Shqipërisë, të së njëjtës Shqipëri ku ne ndajmë kombësinë me Skënderbeun dhe me Nënë Terezën”, tha ndër të tjera Veliaj.

Në videon e postuar në median Facebook, Veliaj u lexoi atyre formulën e betimit, të cilët më pas nënshkruan edhe aktin e betimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore