Sport

Betis-i kalon në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, mposht Sociedad-in


Real Betis ka bërë një hap të madh, duke kaluar në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit, pasi deklasoi në udhëtim Real Sodiedad-in me rezultat 0:4.

Nuk vonoi shumë nga fillimi i ndeshjes dhe mysafirët nga Sevilla kaluan në epërsi në minutën e 12-të, me golin e shënuar nga Juanmi.

Vendasit më pas reaguan duke kërkuar golin e barazimit, të cilin e gjetën në minutën e 39-të, por goli i shënuar nga Adnan Januzaj u anulua për shkak të një pozicioni jashtë loje.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi minimale të mysafirëve, derisa në të dytën ata shënuan edhe tre herë të tjera.

Në minutën e 57-të, ishte autori i golit të parë, Junami, i cili shënoi golin e dytë për mysafirët, pas një asistimi të marrë nga Alex Moreno.

Ndërsa në minutat në vazhdim, mysafirët arritën të shënonin edhe dy gola të tjerë, për të bërë më spektakolar kalimin në gjysmëfinale.

Ishte fillimisht Willian Jose i cili trefishoi shifrat në minutën e 83-të nga penalltia, kurse katër minuta më vonë, Aitor Ruibal vendosi për rezultatin përfundimtar 0:4.

Real Betis në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit do të ballafaqohet me fituesin e duelit Athletic Bilbao – Real Madrid.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore