Shqipëria

“Betimi i Begajt” rikthen përçarjen brenda PD-së


Grupi i demokratëve i përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj ka konfirmuar praninë e tyre në Kuvend për betimin e presidentit të ri, Bajram Begaj.

Ndërsa, deputetët që ndjekin linjën e kryedemokratit Sali Berisha nuk kanë ende një përgjigje përfundimtare e cila pritet të vijë në orët e para të 24 korrikut.

Ceremonia e 24 korrikut riktheu në pah edhe njëherë përçarjen brenda Partisë Demokratike pavarësisht pritjes së Berishës për një vendim përfundimtar.

“Ne do marrim pjesë në seancën e nesërme në Kuvend. Seanca e nesërme eshte e parashikuar nga Kushtetuta. Qëndrimin tonë për z. Begaj e kemi mbajtur dhe është i qartë. Ai përfaqeson zgjedhjen e njëanshme të mazhorances dhe nuk perfaqëson gjysmën e shqiptarëve”, u shpreh fillimisht Alibeaj.

Sipas tij, ka një ndryshim midis individit Bajram Begaj dhe Presidencës së Republikës si institucion.

Ai theksoi se grupi e ka respektuar dhe do e respektojë Kushtetutën dhe institucionet – jo individët.

“Jemi shumë të qartë në këtë pozicion. Edhe në 2017 kur z. Meta u zgjodh president, PD atëherë nuk mori pjesë në votim, por mori pjesë në ceremoninë e betimit”, nënvizoi Alibeaj.

Agjenda

Presidenti i zgjedhur Bajram Begaj do të betohet të dielën në Kuvendin e Shqipërisë.

Pas betimit të tij në Kuvend, në orën 18:00, një ceremoni tjetër do të zhvillohet në ambientet e Presidencës.

Sipas programit të publikuar nga zyra e Presidentit, të dielën në orën 19:15, në Institucionin e Presidentit të Republikës, do të organizohet ceremonia e fillimit të detyrës të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

Ky i fundit do të marrë detyrën nga presidenti aktual, Ilir Meta.

Sipas agjendës, do të jetë Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ajo që do i dorëzojë Presidentit të ri Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Më pas, Begaj pritet të mbajë një fjalë përshëndetëse dhe në fund të ceremonisë, e cila pritet të zgjasë deri pas orës 20:00, do të organizohet një pritje zyrtare në oborrin e Presidencës.

Zgjedhja e Begaj si President

Kujtojmë se më 4 qershor, me një votim të gjymtuar për shkak të mungesës së pjesës më të madhe të opozitës në sallën e Parlamentit, Begaj arriti të siguronte 78 vota pro, teksa kundër ishin katër.

Begaj u propozua si kandidat pas konsultimit të socialistëve prej disa kohësh, ku mbi gjithë kandidaturat, spikati ajo e tija.

Një emër shumë i njohur, i cili vjen nga fusha e mjekësisë ushtarake, Begaj pati pëlqim të menjëhershëm edhe sa i përket opinionit publik për kandidaturën e tij.

Nga vetë opozita, u deklarua se bojkoti nuk ishte ndaj figurës së presidentit të ri, por ndaj procesit, që mazhoranca kishte kryer.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore