Zgjedhjet në Shqipëri

Beteja politike për ta ngritur flamurin e fitores në Vlorë


Qarku i Vlorës është një nga polet kryesore të zhvillimit dhe një nga nyjet kryesore turistike natyrore, kulturore dhe historike të Shqipërisë.

Vlora është qyteti kryesor i qarkut, qyteti i flamurit, nga ku mori pikënisjen edhe formalizimin shteti shqiptar.

Qendra të tjera urbane të rëndësishme në këtë qark janë: Saranda, Himara, Delvina, Selenica, Konispoli dhe Finiqi, me këta të fundit që janë qendër e minoritetit etnik grek në Shqipëri.

Qarku i Vlorës ka aktualisht rreth 188 mijë banorë. Është një nga qarqet me papunësinë më të lartë. Punësimi mbështetet te bujqësia, blegtoria, peshkimi, turizmi, ndërtimtaria, hoteleria dhe tregtia.

Beteja për të sunduar Vlorën këto zgjedhje është e ashpër. Zona njihet si një nga basionet më të mëdha të PS-së, së bashku me Fierin. Këtë e vërtetoi në zgjedhjet e përgjithshme të 2017-ës, ku PS arriti të fitonte e vetme tetë nga 12 mandatet që nxjerr ky qark.

Por, opozita pohon se hegjemonia e PS-së në këtë qark do të thyhet, pasi në tetë vite qeverisjeje pozita nuk ka bërë asgjë për këtë vend, duke ndikuar drejtpërdrejt në largimin e të rinjve, shtimin e papunësisë dhe duke mos zgjidhur problemin e pronave në bregdet.

Në krahun tjetër, mazhoranca i përgjigjet opozitës me një sërë projektesh dhe investimesh që janë realizuar në këtë zonë, si në infrastrukturë, ujësjellësa, bujqësi dhe turizëm.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 2017, Qarku i Vlorës kishte 308 mijë votues të regjistruar, nga të cilët votuan rreth 110 mijë.

Më 25 prill, Vlora do të vërtetojë fjalët e çdo pale politike dhe do të jetë dëshmitarja, nëse PS do e “ngrejë” përsëri flamurin në këtë qark, apo qytetarët do të kërkojnë rotacionin politik?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore