Shqipëria

Beteja e të kaluarës me të tashmen – cila është e ardhmja?


Bërja e bilancit të këtij raundi elektoral është fare e lehtë. Po aq e lehtë sa ndjekja e fushatës elektorale.

Socialistët kanë fituar gjerësisht në të gjithë vendin dhe koalicioni i djathtë Bashkë Fitojmë si edhe PD-ja humbën po aq gjerësisht kudo.

Madje edhe në bastionet historike të PD-së si Shkodra a Lezha, Vau i Dejës, apo Skrapari i Ilir Metës.

Stadiumi Air Albania i boshatisur kur Berisha foli qe vetëm preludi i një humbjeje më të madhe se edhe parashikimi më i keq.

Berisha u braktis edhe nga shtëpia e tij, Tropoja.

E djathta po paguan disa haraçe…

Paguan thyerjen e bërë nga Basha brenda PD-së pas shpalljes non grata, paguan gjendjen konfuze të militantëve blu të pakënaqur me menaxhimin berishist/personalist të liderit dhe aleancën e panatyrshme me ish-armikun Meta.

Edhe pse ndoshta marrë me lehtësi, akuzat e rënda të bëra nga Washingtoni dhe Londra ndaj Berishës nuk kanë si mos të kenë ndikuar në besueshmërinë e tij, në sytë e elektoratit të djathtë .

Izolimi total politik ndërkombëtar dhe mosha e avancuar e Berishës, i cili në vend që të përgatisë një pasardhës, gllabëron fëmijët e tij si Kronos, i heq Berishës çdo perspektivë për të ardhmen.

Mungesa e një alternative të besueshme pa dyshim ka favorizuar konfirmimin e gjerë të marrë nga socialistët.

Nga ana tjetër, një e dhënë e këtyre zgjedhjeve, është edhe numri i ulët i pjesëmarrjes në votime, i cili i atribuohet padyshim shpërbërjes së Partisë Demokratike, mungesës së konkurrencës konkrete, duke qenë se sondazhet e kishin konfirmuar prej kohësh fitoren e madhe socialiste, por edhe pakënaqësinë me qeverinë në detyrë.

Qartësisht pjesa më e madhe e atyre që nuk dolën të votojnë i përkasin krahut të djathtë, por le të themi që edhe të majtëve frymëzimi për të votuar disi iu ka munguar.

Sigurisht duke iu gëzuar rezultateve të arritura, nuk do duhej lënë mënjanë fakti që kjo pjesëmarrje është edhe një paralajmërim për kryeministrin Edi Rama, i cili në mungesë të alternativave, nuk do të duhej të binte pre e komoditetit, por të kuptojë që ndoshta ky është momenti i duhur për të bërë ato reforma, implementimin e të cilave Evropa shumë shpejt do të kërkojë për anëtarësimin e vendit në Union.

Shqipëria realisht është para një rrugëtimi me rëndësi dhe i duhet të planifikojë një të ardhme me rritje ekonomike dhe sociale.

Në margjinat e dinamikës elektorale mbetet historia e Himarës, ku për një grusht votash, 19 për të qenë të saktë, fitoi një kandidat tashmë i burgosur për shit-blerje votash dhe mbi të gjitha me një të kaluar të njollosur për marrëdhëniet me grupet terroriste dhe ultranacionaliste greke.

Është konfirmimi se ka një problem në atë zonë me të cilën do të përballemi dhe në vazhdim!

Do të përballemi në rang vendor, por edhe me fqinjët grekë, të cilët prej dekadash janë të përfshirë në manovra e pretendime në atë territor.

U pa fare qartë në deklaratat e kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm grek pas arrestimit të Fredi Belerit, në praninë e zyrtarëve, diplomatëve dhe mediave greke ditën e djeshme dhe të sotme, duke marrë pamjen e një interference tejet të fortë nga vendi fqinj.

Një ndërhyrje e papranueshme nga një vend themelues i Bashkimit Evropian.

Shqipëria ka paguar shumë më tepër se kushdo nga fqinjët e saj në të kaluarën, duke humbur një pjesë të madhe të territoreve të saj.

Në ditët në vijim aplikimi i ligjit ndaj kujtdo do të duhej të shoqërohej me një maturi të veçantë politike në ruajtjen e dinjitetit, sovranitetit, por edhe të marrëdhënieve të mira me fqinjin.

Sot ndërkaq socialistët t’i gëzohen fitores.

Nesër fillon puna…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore