Kosova

Besim Kelmendi zgjidhet ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit


Besim Kelmendi ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim që prokurori Besim Kelmendi ta ushtrojë detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, kjo pasi Aleksandër Lumezit i ka përfunduar mandati në këtë pozitë, të enjten e 21 prillit.

Detyrën ai do ta ushtrojë deri në një vendim të ri të KPK-së.

Më 11 mars është konfirmuar lista e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, si rrjedhojë e tërheqjes nga gara të prokurorit Arben Ismajli.

KPK-ja i kishte ftuar pesë kandidatët e mbetur për intervistim më 18 mars.

Ndërsa kandidatët e rikonfirmuar janë: Armend Hamiti, Prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Blerim Isufaj, Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Kujtim Munishi, Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Lulzim Sulejmani, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Shqipdon Fazliu, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.​

Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Ndryshe KPK, në takimin e parë të mbajtur më 11 janar të vitit 2022, ka marrë vendim që të shpallë konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kjo për arsye se Aleksandër Lumezit, i cili aktualisht ushtron këtë pozitë, i përfundon mandati më 21 prill të vitit 2022.

Mandati i kryeprokurorit të shtetit është 7-vjeçar, pa mundësi riemërimi.

Lumezi, pozitën e tij si kryeprokuror, e kishte marrë më 21 prill të vitit 2015, pas dekretimit të tij nga ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Një gjë të tillë e kishte bërë të ditur Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një njoftimi për media.

Më 6 prill, Këshilli Prokurorial votoi Blerim Isufajn për këtë pozitë, por vendimi për dekretim ka mbetur në duart e presidentes Vjosa Osmani.

Shoqëria civile e ka quajtur të papranueshëm propozimin për emërimin e Isufajt, ndërsa të zhgënjyera me procesin janë deklaruar edhe ambasadat e disa vendeve partnere dhe Zyra e Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore