Lajme

Besian Mustafa, djali i Xhemail Mustafës, flet për Dosjet e UNMIK-ut të publikuara nga Albanian Post


Besian Mustafa, djali i Xhemail Mustafës

Djali i aktivistit të vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhemail Mustafa, Besian Mustafa, ka folur për dosjet e publikuar nga Albanian Post muajin e kaluar, ku përmenden edhe inicale të një ish-deputeti që dyshohej nga UNMIK-u për vrasjen e babait të tij në vitin 2000.

Mustafa gjatë një intervistë për Kanal 10 të martën, tha se nuk ka biseduar asnjëherë me deputetin në fjalë për vrasjen e babait.

Por, shtoi se për të me rëndësi është që të distancohet partia ku ka vepruar ish-deputeti, nëse konfirmohet se ai ka gisht në vrasje.

“E rëndësishme për mua është, nëse ai që ka dhënë urdhër ka qenë anëtar i një partie politike, cili do jetë veprimi i asaj partie politike, të zgjedh ta përjashtojë, ta lëçis atë anëtar, të distancohet nga ai anëtar, të thotë që veprimet e atij anëtari s’kanë të bëjnë me vlerat e partisë ose mund ta heshtin ose ta mbrojnë atë anëtar”, tha Mustafa.

Ai u po ashtu deklaroi se ka dëgjuar vetëm nëpërmjet mediave për Fadil Syleviqin, të dyshuarin tjetër për vrasjen e të atit, i cili u gjet i vdekur me 15 janar të këtij viti afër liqenit të Badovcit që gjendet në magjistralen Prishtinë – Gjilan.

Mustafa tha se nuk e ka takuar asnjëherë Syleviqin.

Anëtari i kryesisë në dorëheqje të LDK-së, potencoi se janë përmendur shumë emra për vrasjen e babait të tij, por se i mbetet drejtësisë ta thotë fjalën e saj.

Tani shpresën e fundit Mustafa thekson se e ka te Gjykata Speciale, pasi vendorët “dështuan ta ndriçonin këtë rast”.

“Drejtësinë do të donim ta kishim nga organet e vendit, por në dështim të tyre presim nga Gjykata Speciale”.

“Presim drejtësi nga Gjykata Speciale, nëse edhe kjo nuk i zbardh dhe dënon urdhërdhënësit kemi problem si shoqëri”.

Muajin e kaluar, Albanian Post ka publikuar dokumente zyrtare të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, për disa vrasje të pasluftës në Kosovë dhe tentim-vrasje, që e përfshijnë një ish-deputet të Kuvendit të Kosovës.

Dosja e UNMIK-ut për ish-deputetin me inicialet S.R (emër i njohur për redaksinë) që ka siguruar Albanian Post flet për vrasjen e Xhemail Mustafës (23 nëntor, 2000), ish-anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës që ishte edhe zëdhënës i partisë dhe këshilltar i lartë për media i presidentit të atëhershëm Ibrahim Rugova, atë të Ekrem Rexhës (8 maj, 2000), ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe atentatin ndaj Fetah Rudit (15 dhjetor, 2000), ish-deputet i LDK-së.

Dosja për S.R., është përpiluar nën dyshimin për “frikësim dhe dyshim i bazuar për organizim të vrasjeve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore