Përballje

Besart Berisha protagonist në fitoren e Western United


Futbollisti nga Kosova, Besart Berisha, vazhdon të jetë në formë fantastike edhe pse pas dy muajve do të mbushë 36 vjet.

Berisha ishte protagonist në fitoren e ekipit të tij, Western United që e mposhti me rezultat 2:1 “favoritin” e këtij takimi Melbourne City-n.

Fillimisht ishin mysafirët e Melbourne City të cilët kaluan të parët në epërsi, pas golit të shënuar në minutën e 12-të nga mesfushori anglez Craig Noone.

Pjesa e parë përfundoi me epërsinë minimale të Melbourne, gjithashtu ata dominonin lojën thuajse në tërësi.

Në minutën e 61-të, Berisha asistoi për mrekulli për mesfushorin australian Lachlan Wales, i cili barazoi rezultatin në 1:1.

Pesë minuta më vonë pas një kundërsulmi të shpejtë, Wales i ktheu pasimin Besartit, i cili pas një kontrolli perfekt të topit në zonën e kundërshtarit dhe një kthese shumë të bukur brenda zone realizoi gol të bukur, duke kaluar ekipin e tij në epërsi.

Kështu Western United, siguron fitoren e pestë në kampionat, dhe tre pikë shumë të rëndësishme, falë futbollistit nga Prishtina.

Ndërsa për 35-vjeçain ky ishte goli i gjashtë sezonal i cili pavarësisht moshës, vazhdon të shënojë rregullisht në elitën e futbollit australian.

Ky është sezoni i dytë i Besart Berishës me Western United me të cilët deri tani ka realizuar 25 gola në total në A-League.

Ndërsa ai ka luajtur edhe për katër sezone tjera në A-Leauge të Australisë me ekipin e Melbourne Victory, ku përgjatë katër sezoneve (2014-2018) kishte shënuar 82 gola në 130 paraqitje.

Ndërkohë që në këtë sezon skuadra e bomberit kosovar pas 12 ndeshjesh në kampionat pozicionohet në vendin e shtatë me 17 pikë, ndërsa Melbourne City, gjendet në vendin e tretë në tabelë, të cilët pas 13 ndeshjeve kanë grumbulluar 24 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore