Shqipëria

Berisha: Qeveria mbështet Beogradin, prandaj nuk dërgon armë në Ukrainë


Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, pas një rikthimi në Kuvend, nga foltorja ka akuzuar qeverinë se nuk po ndihmon Ukrainën me armë dhe municione për shkak se mbështet Serbinë.

“Jam këtu për t’i shprehur solidaritetin tim në emër të Partisë Demokratike, kombit ukrainas kudo që janë. Jam këtu për të ngritur zërin, për të ndihmuar Ukrainën që kërcënohet nga një barbari”, tha Berisha në fjalën e tij duke iu referuar ngjarjeve të javëve të fundit nga konflikti Ukrainë-Rusi.

Sipas Berishës qeveria shqiptare duhet të dërgojë të paktën fishekë, por, “argati i Beogradit jo më kot hesht”, tha Berisha duke iu referuar kryeministrit Edi Rama, pas arritjes së një sërë marrëveshjesh në kuadër të nismës rajonale “Open Balkan” mes tij, kryeministrit maqedonas dhe presidentit serb.

“Nuk mundet këtu të dominojë Beogradi më udhëzimet e tij, e kam thënë më mijëra herë Ballkani i Hapur është hegjemoni serbe dhe  influencë ruse”, vijoi Berisha nga foltorja.

Nga ana tjetër ai iu drejtua dhe deputetëve demokratë duke iu thënë se ata duhet të ngrenë zërin pasi përfaqësojnë PD-në dhe jo kreun Lulzim Basha.

Berisha në përfundim theksoi se po kërcënohet një vend sovran dhe heshtja e shtetit shqiptar sipas tij nuk është e duhura.

Konflikti Ukrainë-Rusi

Tensionet midis Ukrainës dhe Rusisë kanë prekur majat pas trupat ruse të grumbulluara pranë kufijve të dy vendeve po nxit frikën se Moska mund të nisë një pushtim të mundshëm.

Aq sa detyroi diplomacinë britanike dhe amerikane të largonin personelin nga ambasadat e tyre në Kyev.

Ukraina ka paralajmëruar se Rusia po përpiqet të destabilizojë vendin përpara çdo pushtimi të planifikuar ushtarak.

Fuqitë perëndimore ose boshti i aleatëve e kanë paralajmëruar vazhdimisht Rusinë kundër lëvizjeve të mëtejshme agresive ndaj Ukrainës.

Kremlini zyrtar ka mohuar vazhdimisht se po planifikon të sulmojë.

Autoritetet ruse argumentojnë se mbështetja e NATO-s për Ukrainën, duke përfshirë rritjen e furnizimeve me armë dhe trajnimin ushtarak, përbën një kërcënim në rritje në krahun perëndimor të Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore