Shqipëria

Berisha pranon humbjen dhe se nuk arriti ta mbronte votën në zgjedhje


Drejtuesi politik i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Sali Berisha, ka pranuar për herë se është përgjegjësi e grupimit të tij, rezultati i dobët në zgjedhje.

Sipas Berishës, kjo gjë ka ardhur për shkak se grupimi opozitar demokrat nuk arriti dot ta mbronte votën.

Ai ka saktësuar se ashtu si në vitin 2019, edhe në këto zgjedhje vendore të 14 majit, Partia Demokratike nuk ka arritur ta mbronte votën e shqiptarëve dhe nuk ka arritur më parë të bëjë analizën e duhur zgjedhore, për ta shmangur këtë problematikë.

Pavarësisht kësaj, ai ka shtuar se “zgjedhje me Edi Ramën në pushtet nuk ka”.

Ndaj, për këtë arsye, ai ka ftuar çdo demokrat që t’i drejtohen fibrës së tyre politike dhe të japin propozime për përmirësimin maksimal të punës në zgjedhjet e ardhshme.

Më herët, ai deklaroi se ka pasur një përpjekje mafioze shqiptaro-ndërkombëtare, për ta asgjësuar opozitën shqiptare.

Kështu theksoi ai gjatë një takimi me 61 kandidatët për kryetarë bashkie në rang vendi, prej të cilëve vetëm shtatë arritën të zgjidheshin në detyrë.

Këta të fundit ai i vlerësoi për gjithë fushatën dhe punën që kanë bërë, si edhe uroi fituesit për detyrën e marrë.

Thelbi megjithatë, mbetet te fakti që sipas tij ka pasur përpjekje të mëdha për të zhbërë gjithë opozitën në vend.

“Kurrë ndonjëherë nuk është bërë një përpjekje kaq e hapur, kaq antikushtetuese, kaq antiligjore nga mafia shtetërore shqiptare dhe ndërkombëtare, për të shuar opozitën në Shqipëri”, theksoi ai përballë eksponentëve të djathtë.

Akuzat më të forta prej tij iu drejtuan kryeministrit Edi Rama, si edhe ambasadores amerikane Yuri Kim, të cilët i akuzoi për ndërhyrje në procese me rëndësi, si ato gjyqësore (referuar rastit të logos së Partisë Demokratike).

Mungesa e kësaj të fundit dhe legjitimitetit për të përdorur simbolet historike demokrate, e dëmtuan procesin sipas Berishës dhe i dhanë një epërsi të thellë kundërshtarit.

“I mori forcës politike vulën, logon, tre ditë para fillimit të fushatës, me qëllimin që kjo forcë politike të mos hynte në fushatë. Por, ne nuk mund të binim viktimë e një akti antishqiptar, antidemokratik të mafies së Edi Ramës”, shtoi më tej ai.

Një aspekt tjetër që Berisha e ka përmendur, ka qenë edhe zhvillimi i parregullt i fushatës, ku sipas tij, kryeministri me bonuse të dhëna për pensionistët dhe premtime për rritje pagash, ka deformuar vullnetin e qytetarëve.

“Nuk ka ndodhur kurrë që fushata elektorale të bëhet me rritje rrogash dhe në mes të fushatës të rriten rrogat. Këto nuk kanë ndodhur ndonjëherë”, përmbylli ai, duke u krenuar gjithsesi në fund për faktin se opozita mori 500 mijë vota në zgjedhje, pavarësisht gjithçkaje.

Ai përmendi se misioni i demokratëve dhe i tiji personalisht, do të vijojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore