Shqipëria

Berisha për samitin BE-Ballkan: Nuk është vetoja e Bullgarisë, por regresi i demokracisë në Shqipëri dhe mosplotësimi i kushteve


“Nuk është vetoja e Bullgarisë për Shqipërinë, por është regresi i demokracisë në Shqipëri dhe mosplotësimi i kushteve nga qeveria e Edi Ramës”.

Kështu është shprehur kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, të premten e 24 qershorit në një konferencë për shtyp, duke folur për samitin e zhvilluar një ditë më parë Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor.

Sipas Berishës, janë disa vende të BE-së, të cilat nuk janë dakord me hapjen e negociatave me Shqipërinë, sepse nuk ka plotësuar kushtet.

“Ky ishte udhëtimi, i cili dëshmoi përfundimisht se Edi Ramës nuk i hapin negociatat, nuk e pranojnë për interlokutor dhe se, në mënyrë absolute, shkak themelor nuk është Bullgaria”, u shpreh Berisha.

Berisha nuk i kurseu akuzat drejtuar qeverisë së kryeministrit Rama, i cili u shpreh se liria e mediave dhe krimi politik i Partisë Socialiste janë ndër shkaqet e mos çeljes së negociatave.

“Nëse lexoni deklaratat e Edi Ramës, faktojnë se ky njeri shkoi në Bruksel si vasal i Aleksandër Vuçiç dhe u soll atje sikur të ishte Milorak Dodik, dhe jo kryeministër i Shqipërisë”, tha Berisha, duke shtuar se, “Rama është i rreshtuar me Ballkanin e Putinit. Ai u shfaq në konferencë me Vuçiçin dhe Kovaçevskin. Asgjë nuk mund ta lidhte kryeministrin e Shqipërisë me atë të Serbisë, përveç fakti se duhet të dëshmonte se ka bërë zgjedhjen e tij”.

Gjatë konferencës, Berisha u ndal dhe te gjuha e përdorur nga Rama kundrejt Bullgarisë.

“Skandaloze gjuha e përdorur e Ramës ndaj Bullgarisë. Bullgaria është një vend mik. Në emër të PD-së i kërkojmë ndjesë Bullgarisë, dhe i garantoj se nuk është ky mendimi i shqiptarëve, por është mendimi një aventurieri, i një njeriu që nuk njeh asnjë parim”, u shpreh kreu i selisë blu.

Kujtojmë që vetoja bullgare kundrejt Maqedonisë së Veriut po pengon çeljen e negociatave mes Shqipërisë BE-së.

Kjo për faktin se fati i dy vendeve të Ballkanin Perëndimor shihet si i përbashkët.

Protesta e 7 korrikut

Ndër të tjera, Berisha përmendi edhe protestën,  të cilën e ka thirrur kundër qeverisë më 7 korrik në orën 19:00.

“Qëllimi i protestës është që të ngrihen shqiptarët në këmbë kundër këtij regjimi armiqësor, kundër kësaj qeverie që është kundër shqiptarëve”.

Ai përmendi dhe rritjen e çmimeve të produkteve të shportës deri në shtatë herë më shumë.

“Kemi të bëjmë me një situatë që po rëndohet në mënyrë progresive. Po fryhet arka me 340 milionë euro. Vetëm nga rritja e çmimeve fiton qeveria. Ndihma ekonomike jo që nuk rritet, por zvogëlohet me 2%. Rroga mesatare jo që nuk rritet, por ulet në krahasim me vitin e kaluar. I vetmi kompensim propaganda mashtruese”, vijoi akuzat Berisha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore