Shqipëria

Berisha: Ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, rol vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës


“24 marsi është dita e historisë për NATO-n, lirinë e Kosovës dhe kombit Shqiptar!”.

Kështu e nis reagimin e tij në median sociale Twitter, ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha.

Për kryedemokratin, ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s kundër Beogradit pati rol vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“24 vite më parë, më 24 mars 1999 Aleanca e Atlantikut të Veriut në një vendim historik unanim e udhëhequr nga SHBA dhe presidenti Bill Clinton ndërmori ofensivën e saj ajrore më të madhe pas luftës së dytë botërore, ofensivën e parë në historinë e saj në mbrojtje të lirive dhe të drejtave njerëzore të 2 milionë shqiptarëve në Kosovë që përjetonin gjenocidin dhe barbaritë që hordhitë pushtuese të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviç ushtronin ndaj tyre. Ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s kundër Beogradit krahas luftës çlirimtare të UÇK pati rol vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, shkruan Berisha.

Për këtë arsye, sipas tij, shqiptarët i mbeten mirënjohës përjetë NATO-s, SHBA-ve dhe vendeve të tjera anëtare për rolin e tyre çlirimtar për shqiptarët në Kosovë dhe vendosjen e paqes në Ballkan.

“Zoti e bekoftë NATO-n, vendet e saj anëtare dhe ushtritë e saj”, përmbyll reagimin Berisha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore