Shqipëria

Berisha, mbështetësve të Bashës: Hiqni dorë – do të dështoni


Ish-lideri demokrat, Sali Berisha, u bëri thirrje nga Shkodra mbështetësve të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha që të heqin dorë nga kryedemokrati.

Këta të fundit, për Berishën, do të dështojnë sepse e ardhmja është “e burrave dhe grave që luftojnë për dinjitetin njerëzor dhe kombëtar”.

“Vetëm revolucioni i mbështetësve të Partisë Demokratike mund ta çojë këtë lëvizje drejt fitores”, vijoi ai.

Berisha gjendej në takim i shoqëruar nga anëtarët e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit.

Të shumtë ishin mbështetësit që kishin mbushur ambientet e Pallatit të Sportit në Shkodër.

Fillimisht, ish-kryeministri ndali fjalën e tij për të nderuar largimin nga jeta të legjendës së futbollit të Shkodrës, Ramazan Rragami, me një minutë heshtje.

Në vijim, Berisha u ndal gjatë te raporti i qytetit verior me lirinë dhe “frymëzimet”, sipas tij, “për kombin”.

“Ju keni raport korrekt me të vërtetën”, ishte adresimi i ish-liderit demokrat para mbështetësve të tij.

Teksa u ndal për të kujtuar gjendjen e PD-së sot, për Berishën, e gjitha kjo bëhet vetëm për lirinë.

Një thirrje, ish-lideri demokrat, e ruajti edhe për shqiptarët në Diasporë.

Sipas tij, duhet edhe mbështetja e tyre për të zhbërë “paktin Rama-Basha”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore